Pas humbjes në “El Clasico” javën e shkuar, Barcelona këtë vikend synon të kthehet tek fitorja në La Liga të Spanjës. Në kuadër të xhiros së 12-të, Barcelona do të luaj në udhëtim te Real Sociedadi. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën dhe nis në orën 21:00. Barcelona, aktualisht ka rënë në pozitën e katërt në tabelë me 24 pikë, pesë më shumë se Sociedadi që zë vendin e pestë. Të dyja ekipet, kanë bilanc të njëjtë në tri ndeshjet e fundit në kampionat, ku kanë regjistruar nga një fitore, një barazim dhe një humbje.
Të shtunën, luan edhe Mallorca e Vedat Muriqit. Prej orës 16:15, Mallorca do të jetë mysafire e skuadrës së Real Betisit. Në të njëjtën ditë, por në orën 18:30, do të jetë dueli mes Celta Vigos dhe Sevillas.
Ndërkohë, në orën 14:00, Osasuna e pret Gironan, befasinë e këtij edicioni. Girona ka vetëm 1 humbje dhe 1 barazim karshi nëntë fitoreve këtë edicion dhe është e dyta në tabelë me 28 pikë, sa i ka edhe Real Madridi që është lider. Forma e Gironas bën që të llogaritet favorite në duelin ndaj Osasunas që ka 6 humbje dhe 13 pikë të mbledhura.
Ndërkohë, Real Madridi pritet të vazhdojë me fitore dhe të mbetet lider edhe pas kësaj xhiroje. Real Madridi, të dielën prej orës 21:00 luan në shtëpi kundër Rayo Vallecanos.
Kjo xhiro, do të mbyllet të hënën mbrëma me duelin mes Getafes dhe Cadizin, i cili starton në orën 21:00.