Drejtuesit e Barcelonës kanë vendosur ta nxjerrin në shitje mesfushorin brazilian Arthur Melo, i cili do të largohet nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit.
E përditshmja spanjolle "Marca" ka shkruar të hënën se te Barcelona kanë mbetur të pakënaqur me mesfushorin Melo, i cili ditë më parë ishte paraqitur në një diskotekë së bashku me Neymarin.
Ky veprim i Arthurit ka bërë që te Barcelona menjëherë të vendosin për shitjen e tij, pasi nuk duan që mesfushori të ketë një jetë të shfrenuar, gjë që do të ndikonte në paraqitjet e tij në fushë.
23-vjeçari, këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim në pesë paraqitje për Barcelonën në të gjitha garat.
Ai te Barça u transferua verën e shkuar nga Gremio për 30 milionë euro dhe me ekipin spanjoll ka kontratë deri në vitin 2024. Kartoni i tij vlerësohet rreth 60 milionë euro.