Sport

Barazimi me Shqipërinë i paraprin përballjes me favoriten e grupit

Pos që mori një pikë ndaj Shqipërisë në Elbasan, përfaqësuesja e Kosovës në futboll (vajzat) të enjten mbrëma e mori edhe një paralajmërim për ndeshjen e vështirë që e pret të martën e ardhshme.

Para se Shqipëria e Kosova të luanin 1:1, Norvegjia shkatërroi Armeninë duke e mposhtur 10:0 në Oslo. Te Kosova kanë mbetur të pakënaqur me barazimin 1:1 ndaj Shqipërisë, ndërsa kanë pranuar forcën e rivales së ardhshme, Norvegjisë. Norvegjia është favorite e madhe e grupit F të eliminatoreve për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Fitorja 10:0 në nismë dëshmon për nivelin e norvegjezeve.

Kosova, e drejtuar nga Afërdita Fazlija, ka fituar të enjten pikën e parë në kualifikimet për Botëror. Në ciklin e parë kualifikues për Botëror, atë të vitit 2019, Kosova i kishte humbur të tria ndeshjet. Njërën prej disfatave e kishte pikërisht ndaj Shqipërisë.

Ndeshja e dytë zyrtare me Shqipërinë ishte e hapur dhe me raste nga të dyja palët. Në fund nuk dha fitues. U mbyll 1:1.

Shqipëria konkretizoi në minutën e 43-të një penallti lehtë të dhënë. Kapitenia Megi Doçi siguroi penalltinë dhe ishte e pagabueshme nga pika e bardhë. Por Kosova në pjesën e dytë ia doli të barazonte shifrat. Lojtarja e kthyer në përfaqësuese, Valentina Limani, shënoi për 1:1 në minutën e 71-të. Ajo realizoi me goditje nga zona, pasi mori topin nga kapitenia Erëleta Memeti. Limani, ish-kapitene e Kosovës, ishte larguar nga futbolli për t’u fokusuar në shkollim. Por ka ndryshuar mendjen dhe menjëherë është kthyer në përfaqësuese. Natyrisht me golin e shënuar ka dëshmuar se sa vlen.

“Nuk jam e kënaqur me rezultatin. Ky rezultat nuk i përshtatet asnjërit ekip. Mendoj që në pjesën e parë kemi zhvilluar lojë të mirë dhe kishim raste më të pastra se Shqipëria. Penalltia e lehtë ka ardhur nga pakujdesia jonë. Pjesa e dytë ishte e tensionuar, me gjithë instruksionet në pushim për një lojë të qetë. U vumë në vështirësi pa nevojë, megjithatë e barazuam rezultatin. Kemi mundur ta fitonim këtë ndeshje”, ka theksuar selektorja Afërdita Fazlija për KOHËN. Ajo ka folur edhe për ndeshjen ndaj Norvegjisë. Te Kosova menjëherë fokusohen për të përgatitur ndeshjen e radhës.

“Natyrisht që është kundërshtare e fortë. Ne do të mobilizohemi maksimalisht. Mendoj që deri te ndeshja do të rikuperohemi. Duke pasur parasysh që kundërshtari luan një futboll shumë fizik, do të mundohemi t’i kundërvihemi në mundësitë dhe kualitetin që e posedojmë”, ka shtuar Fazlija.

Në grupin F janë edhe Belgjika e Polonia, që takohen mes vete të premten në Gdansk të Polonisë.

Kosova është ende duke fituar përvojë në skenën evropiane, ndërkohë që futbolli i vajzave në vend vuan nga mungesa e konkurrencës. Mitrovica është e pakonkurrencë. Dhe niveli i skuadrave tjera po e frenon zhvillimin më të shpejtë të futbollit të vajzave. Ka telashe edhe me masivitet. Ende shumë qytete të mëdha nuk kanë skuadra të futbollit për vajza, me gjithë favoret që krijohen.

Por përfaqësuesja në ciklin e kaluar kualifikues, për Evropian, bëri hapa para duke regjistruar edhe fitore e barazime. Hapa të tjerë synohen në ciklin aktual, me gjithë grupin e fortë.

Kualifikimi në ndonjë ngjarje të madhe ende duket i largët. Fituesi i grupit aktual kualifikues shkon në Botëror, ndërsa përfaqësuesja e vendit të dytë luan në barazh.