Pas tri xhirove në Serie A këtë edicion, barazia e skuadrave është sërish tema kryesore e ligës italiane. Pasi titulli i sezonit të kaluar u vendos në ditën e fundit të sezonit, nuk ka më asnjë klub me bilanc perfekt në këtë sezon. Napoli, skuadra e fundit që kishte mbetur perfekte, barazoi 0:0 ndaj Fiorentinës të dielën.
Napoli ende mbeti në krye të renditjes për shkak të diferencës së golave të saj, por është e barabartë me shtatë pikë, me pesë klube të tjera: kampionin në fuqi, Milanin, Lazion, Atalantan, Torinon dhe Romën. Roma dhe Interi ishin të vetmet klube që kishin fituar dy ndeshjet e tyre hapëse, por Roma barazoi 1-1 në udhëtim te Juventusi të shtunën dhe Interi u mund 3:1 në Lazio të premten. Pasi shënoi pesë dhe më pas katër gola në dy ndeshjet e para - fitore bindëse ndaj Veronas dhe Monzas - Napoli ishte jashtë objektivit kundër Fiorentinas. Hirving Lozano pati një rast të mirë shënimi me kokë nga afër në fillim të pjesës së dytë, që ishte edhe rasti më i mirë i Napolit. Ndërsa sulmuesit Victor Osimhen iu anulua një gol në pjesën e parë për shkak të pozitës jashtë loje. Osimheni ditët e fundit është përfshirë në spekulimet për një lëvizje të mundshme të Cristiano Ronaldos nga Manchester Unitedi te Napoli, me shpresën që 23-vjeçari nigerian do të zëvendësonte portugezin në klubin anglez në një çmim të shtrenjtë transferimi.
“Nëse një klub ju ofron 100 milionë euro për një lojtar, është e vështirë të mos e merrni parasysh këtë ofertë”, pranoi trajneri i Napolit, Luciano Spalleti.
Fiorentina kërcënoi në mes të pjesës së dytë me një gjuajtje të rrezikshme të Antonin Barakut që ishte vetëm pak centimetra jashtë portës. Mundësia e fundit e rëndësishme e Napolit ishte një përpjekje e gjatë nga transferimi i ri Giacomo Raspadori, i cili u dorëzua përballë portierit të Fiorentinës, Pierluigi Gollini. Atalanta zgjati startin e saj të pamposhtur të këtij edicioni, me një fitore 1:0 ndaj rivalit rajonal Veronas. Teun Koopmeiners shënoi në fillim të pjesës së dytë me një goditje nga distanca, pasi Atalanta fitoi ndeshjen e xhiros së parë në udhëtim te Sampdoria, përpara se te barazonte me Milanin në një tjetër paraqitje solide.
“Ne duam të kthehemi në Evropë dhe mundësisht në Ligën e Kampionëve”, tha Koopmeiners, i cili ka shënuar tre nga pesë golat e tij në Serie A nga përtej zonës.
Ndërkohë Boulaye Dia shënoi një gol dhe asistoi në dy të tjerë në ndeshjen e parë si titullar teksa Salernitana mundi në shtëpi me rezultatin e thellë 4:0 Sampdorian. Dia, një reprezentues i Senegalit, iu bashkua Salernitanës në formë huazimi 10 ditë më parë nga Villarreal. Po ashtu, kampioni i Serisë B, Lecce, fitoi pikën e parë duke barazuar 1:1 në shtëpi kundër Empolit.