Pas rezultateve të arritura të dielën, Ballkani është lider i Superligës së Kosovës në futboll. Por klubin suharekas kjo nuk e ka penguar që përmes një letre të hapur të vë në dyshim serioz rregullsinë e garës në kampionatin e Kosovës në futboll.
Letrën e hapur me shumë akuza, Ballkani ia ka drejtuar presidentes së vendit, kryeministrit, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha palëve të interesuara. Ballkani ka vlerësuar se futbolli kosovar vetëm është duke u shkatërruar nga kurdisjet e rezultateve.
Në të vërtetë në javët e fundit ka pasur shumë akuza e dyshime për kurdisje të ndeshjeve. Tifozët e Dritës përmes komenteve e kanë akuzuar klubin se ka kurdisur edhe ndeshjen e së dielës ndaj Prishtinës, të cilën e humbi në shtëpi. Dhe Ballkani ka shprehur pezmin sidomos pas rezultatit të takimit në Gjilan. Ka dyshime se është bërë plani që Prishtina të fitoj titullin, kurse Drita të dal në Evropë si nënkampione. Në skenarët e përfolur është i përfshirë edhe Llapi, që pritet ta fitojë Kupën.
“Pa asnjë fije dyshimi konsiderojmë që secili qytetar i Kosovës është gëzuar me faktin që futbolli kosovar u anëtarësua në FIFA e UEFA, duke shpresuar se përfundimisht futbolli i Kosovës po dilte nga mjerimi ku kishte mbetur si rezultat i okupimit. Fatkeqësisht kjo shpresë rezultoi e dështuar për arsye se përveç problemeve të okupimit dhe të mos inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë, tani jemi duke u ballafaquar me mos zhvillim, pengimin apo thjeshtë shkatërrimin e futbollit në Kosovë, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë. Fajtorë janë vetë faktorët e futbollit kosovar”, thuhet në letrën e Ballkanit të Suharekës, aktualisht klubit prej më të organizuarve në vend.
“Si është e mundur që për vite me radhë në futbollin e Kosovës, ose më saktë në përfundim të çdo sezoni të futbollit qoftë në garat e kampionit apo të kupës, opinioni më tepër merret me kalkulime matematikore sesa me futboll të vërtetë. A jemi ne duke luajtur futboll, apo jemi duke bërë ‘matematikë’, sepse ne si klub jemi regjistruar në FFK për të luajtur futboll, e jo për të bërë ‘kalkulime’”, kanë pyetur nga klubi theranadas. Sipas Ballkanit, futbolli ka degraduar.
Në letër nuk është përmendur ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, por duket se akuzat janë për të. Drita e Prishtina janë rivalë të Ballkanit për titull të kampionit. Sipas Ballkanit, FFK-ja vendos se kush bëhet kampion, kush fiton Kupën e kush mbetet duarthatë.
Edhe
Ballkani në kërkim të qetësisë, Prishtina e Drita synojnë hapin e madh
“Si është e mundur që opinioni të dijë, e me javë para ndeshjes dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat, e cili klub e lëshon kampionatin për kupë etj. Mjafton të hysh në faqet zyrtare të klubeve dhe këtë fenomen e vëren nga vet tifozët e klubeve gjegjëse, fatkeqësisht në krejt këtë maskaradë janë të përfshirë disa klube, disa mbetje politike dhe FFK-ja. Kjo e fundit në mënyrë mjeshtërore kryen punën e sajë duke vendosur cili klub do bëhet kampion, e cili do ta fitojë kupën, si dhe cili do mbetet pa asgjë. Mjafton t’i shohim vetëm ndeshjet e muajit të fundit në kupë dhe të kampionatit që të arrijmë në përfundimin se futbolli në Kosovë ka degraduar në çdo aspekt. Prandaj i lusim të lartshënuarit dhe mekanizmat ligjorë të fillojnë të merren më këtë çështje sa nuk është bërë vonë, kjo për hir të rinisë kosovare dhe investimeve të mëdha të cilat po i bëjnë investitorët me djersën e tyre”.
Janë këto akuza të rënda të Ballkanit në fazën finale të kampionatit. Kjo është hera e parë që një klub që konkurron për titull del me akuza të hapura ndaj FFK-së dhe klubeve tjera.