Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka mbetur prapa me ndeshje në sezonin aktual të Superligës. Ka luajtur tetë ndeshje. Por, ekipi nga Suhareka nuk ka mbetur prapa në garën për titull. Në fakt Ballkani po lufton suksesshëm në dy “fronte”, në Superligë dhe në Ligën e Konferencës.
Në kampionat, Ballkani është vetëm tri pikë prapa lideres Dritës, që ka dy ndeshje më shumë të luajtura. Zë vendin e dytë me 21 pikë. Prej tetë ndeshjeve, Ballkani ka pësuar vetëm një disfatë. Humbjen e pësoi nga Drita, që ka shtatë fitore dhe tri brazime. Drita është lidere me 24 pikë, ndërsa është para rivalit të qytetit, Gjilani, plot nëntë pikë. Gjilani zë vendin e tretë.
Pra, shkëputja e dy klubeve që cilësohen më të organizuarat dhe me ekipet më të mira është e hershme, ndryshe nga vitet e kaluara.
Pritjet ishin që edicioni aktual të ishte më rivalizues në garën për titull. Por, mungesa e stabilitetit te Gjilani e Prishtina dhe forma jo e mirë e Llapit, kanë bërë që Drita dhe Ballkani të bëjnë shkëputje të hershme në tabelë. Këto dy ekipe mund ta zhvillojnë të vetme garën për titull të kampionit.
Shkëputjen e hershme të Dritës dhe Ballkanit nuk e ka pritur trajneri Gani Sejdiu.
“Për mua nuk ka qenë e pritshme dhe nuk mbahet mend të ketë pasur kësi shkëputje. Luftës për titull kjo situatë nuk i shërben, pasi shumë më interesante dhe rivalizuese do të ishte sikur të kishim pasur më shumë klube në garë. Por, duhet pranuar dhe përgëzuar Dritën dhe Ballkanin për këtë rivalitet dhe stabilitet që po tregojnë në tentim për të arritur objektivat e tyre në fillim të kampionatit. Jam i bindur se kjo luftë mes tyre do të zhvillohet deri në fund të kampionatit. Në këtë mënyrë lufta për titull do të ketë kuptim dhe interes nga opinioni sportiv”, ka thënë Sejdiu për KOHËN.
Drita e Gjilanit është skuadra e vetme që nuk ka pësuar disfatë në dhjetë ndeshjet e para të edicionit aktual. Ndërkohë Ballkani, pos humbjes, ka numëruar shtatë fitore. Nuk e ka asnjë barazim në tetë ndeshjet e para.
Ballkani është në garë për të arritur suksese të mëdha edhe fazën grupore të Ligës së Konferencës. Të enjten zhvillon një prej ndeshjeve më të rëndësishme në rrugëtimin e tij në Ligën e Konferencës. Pas fitores së parë të arritur në Sivas javën e kaluar, të enjten Ballkani e pret Sivassporin turk në Prishtinë. Një fitore do të rriste gjasat për të kaluar në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.
Më herët trajneri Ilir Daja pati thënë se Ballkani po shënon suksese në Evropë falë Superligës. Ai ka theksuar se Ballkani nuk do të heq dorë nga titulli edhe këtë edicion. Ballkani si në Ligën e Konferencës, ashtu edhe në Superligë është paraqitur me njëmbëdhjetëshin më të mirë.
Në një vijë me trajnerin nga Shqipëria është edhe Meriton Korenica.
“Është e vështirë por jemi mësuar sado pak. Mundohemi të japim maksimumin në të dyja anët. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe jemi të gatshëm të gjithë të japim më të mirën. Mendoj se është ende herët për shkëputje, por ne jemi fokusuar në dy anët 100 %, sidomos në kampionat, pasi është kampionati që na ka sjellë këtu ku jemi në Evropë. Duhet të vazhdojmë këtë ecuri pozitive që e kemi deri në fund”, ka thënë Korenica për KOHËN.
Edhe te Drita thonë se është herët për të menduar fundin e kampionatit. Drejtori sportiv, Valon Zymberi, pranon se shkëputja e Dritës dhe Ballkanit ka ndodhur tashmë.
“Edhe pse kemi një shkëputje ne dhe Ballkani, është ende herët të flitet për titull. Mendoj se në sezonin pranveror mund të ketë lëvizje nga ekipet dhe mund të ndryshojnë gjërat. Pavarësisht diferencës së vogël që është krijuar, po shihet që do të jetë një kampionat shumë i rivalizuar dhe nuk do të dihet deri në fund, qoftë për titull, Evropë dhe mbijetesë”, ka thënë Zymberi.