Skuadra e futbollit Ballkani të shtunën nuk arriti ta fitojë ndeshjen ndaj Ulpianës. Takimi në mes të Ulpianës dhe Ballkanit përfundoi me rezultatin 1:1. Por lideri i Superligës, Ballkani, pret që pikët e plota nga kjo ndeshje t’i fitojë në tavolinë.
Klubi nga Suhareka ka bërë ankesë në Komisionin e Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës, me pretendimin se Ulpiana ka aktivizuar në fushë një lojtar që nuk ishte fare në protokoll. Bëhet fjalë për një lojtar që u aktivizua në minutën e 80-të.
Te Ulpiana thonë se të gjithë lojtarët e aktivizuar në ndeshjen ndaj Ballkanit kanë pasur të drejtë loje. FFK-ja ka heshtur.
Zëdhënësi i klubit Ballkani, Jetullah Kuqi, pret që t’i fitojnë pikët e plota ndaj Ulpianës. Me fitoren eventuale me rezultat zyrtar 3:0, Ballkani do t’i afrohej edhe më shumë titullit të kampionit, të parit në histori.
Aktualisht pas 30 xhirosh, Ballkani është në vendin e parë me 64 pikë. Nëntë më pak i kanë Drita e Gjilani.
“Sekretari i klubit ka vërejtur që në protokoll ka qenë i shënuar një lojtar tjetër, ndërsa në fushë për Ulpianën është inkuadruar një lojtar tjetër. Dhe pas këtij dyshimi ne si klub kemi bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe sigurisht se presim që t’i fitojmë pikët e plota me rezultat zyrtar 3:0. Lojtari që është futur në minutën e 80-të nuk ka qenë në protokoll”, ka thënë Kuqi.
KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligën e Parë. Por nuk ka marrë përgjigje nga komisioni i përbërë nga kryetari Abdyl Bellopoja dhe dy anëtarët, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati.
Te klubi Ulpiana besojnë se nuk kanë bërë asnjë gabim. Është trajneri Fadil Ademi që ka theksuar se nuk e di nëse ka pasur ndonjë lojtar që nuk ka pasur të drejtë loje.
“Sa i përket anës sime si trajner mendoj se të gjithë kanë pasur të drejtë lojë, pra edhe ata lojtarë që kanë qenë në formacionin bazë e po ashtu edhe lojtarët që janë aktivizuar. I kam bërë pesë ndërrime dhe të gjithë kanë pasur të drejtë loje. Ne e kemi mbyllur ndeshjen në mënyrën më të mirë, ndërsa për pjesët e tjera është sekretari që mund të japë ndonjë informatë shtesë. Por ajo që di është se të gjithë lojtarët që janë angazhuar, kanë pasur të drejtë loje”, ka thënë Ademi të dielën për KOHËN.
KOHA nuk ka mundur të marrë përgjigje nga sekretari i klubit Ulpiana. Ai nuk u është përgjigjur telefonatave e po ashtu mesazheve të KOHËS.
Nuk është rasti i parë që një klub ankohet për dyshimet se ekipi kundërshtar ka aktivizuar lojtarë pa të drejtë loje. Edhe në të kaluarën ka pasur raste të gabimeve të bëra nga zyrtarë të klubeve. Ka pasur në raste edhe dyshime për gabime të qëllimshme.
Ulpiana është në garë për mbijetesë në elitën e futbollit të Kosovës. Zë vendin e parafundit me 25 pikë. Është 11 pikë larg Dukagjinit që mban vendin e tetë, pozitë që siguron ndeshjen e barazhit.
Zakonisht në xhirot e fundit rriten dyshimet për kurdisje të rezultateve. Të dielën akuza indirekte ka bërë trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi. Ai bëri thirrje për garë të pastër.