Ballkani ka fituar në tavolinë ndeshjen ndaj Ulpianës. Kështu ka vendosur Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën. Ndeshja e luajtur të shtunën në Lipjan, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll, kishte përfunduar 1:1. Por të martën është regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Ballkanit të Suharekës.
Ballkani, sipas vendimit të Komisionit të Garave, ka paraqitur ankesë për parregullsinë e paraqitur në ndeshje. Sipas ankesës, Ulpiana në minutën e 80-të ka aktivizuar lojtarin Andi Arifi, i cili nuk ka qenë i paraqitur në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes.
Dhe Komisioni i Garave e ka miratuar ankesën e Ballkanit.
“Sipas protokollit zyrtar, lojtari me numër 19 i shënuar në protokoll ka qenë Fabrice Boudega, i cili nuk është aktivizuar në lojë. Por në lojë është aktivizuar lojtari me numër 19, Andi Arifi, i cili nuk ka qenë i shënuar – regjistruar në protokollin zyrtar të ndeshjes. Dhe ky veprim i Ulpianës ka qenë i palejuar dhe i kundërligjshëm dhe aty ku ka kundërligjshmëri rezultati është ‘nul’. Prandaj Komisioni i Garave e miraton ankesën e Ballkanit si të bazuar dhe ndeshjen e regjistron me rezultat zyrtar, 3:0, në favor të Ballkanit”, shkruan në vendim.
Kështu Ballkani forcohet edhe më shumë në pozitën e parë. I bën 66 pikë, 11 më shumë se përcjellësit, Drita dhe Gjilani. Ulpiana mbetet e parafundit me 24 pikë dhe me gjasa minimale për të qëndruar në elitë.
Ka pasur akuza se gabimi i Ulpianës është i qëllimshëm.
“Kjo është katastrofike për futbollin e Kosovës”, ka thënë kryetari i Trepça ’89, Abedin Zeka, njëri prej atyre që vlerësuan se gabimi i Ulpianës ishte i qëllimshëm. Sipas Zekës, Ballkanit nuk i është dashur një fitore në tavolinë.
Te Ulpiana nuk janë deklaruar për “gabimin”.