Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka hapur procedurë disiplinore ndaj dy klubeve e Superligës, Ballkanit dhe Dritës.
Në arsyetimin e KG-së thuhet se ka pasur lëshim në organzim të ndeshjeve Ballkani – Llapi dhe Drita – Gjilani.
“Në minutën e 10-të dhe 32-të të ndeshjes, ofendojnë në kor kryetrajnerin e ekipit mysafir Tahir Batatina. Në minutën e 77-të të ndeshjes një grup i tifozëve vendas të vendosur prapa bankinës së FC Llapi në rrugë, hedhin mjete piroteknike tymuese në dhe rreth bankinës mysafire duke shkaktuar panikë të ekipi mysafir, për çka ndeshja ishte ndërprerë për tre minuta”, shkruan në arsyetimin e KG-së për rastin e ndeshjes Ballkani – Llapi. Ndërkohë sa i përket ndeshjes Drita – Gjilani thuhet se “në minutën e 46-të të ndeshjes hedhin topa masiv në fushën e lojës, ndërkaq në minutën e 57-të hedhin tri shishe PVC dhe në minutën e 65-të hedhin dy shishe tjera PVC në fushën e lojës”, thuhet në njoftim.
Në procedurë disiplinore është edhe udhëheqësi i ekipit të Ballkanit, Idriz Hajrizi, i cili sipas raportit të delegatit të ndeshjes ka sharë dhe ofenduar të gjithë gjyqtarët e ndeshjes Ballkani – Llapi.