Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Babai i Parteyt shiti gjithë pasurinë që i biri të ndjekë ëndrrën e futbollit

Mesfushori Thomas Partey ka shijuar një ngritje meteorike në lojën e futbollit, duke pasur parasysh se ai erdhi nga një vend i largët dhe i varfër si Gana, ku ekzistenca e tij ishte në pyetje.

Tani, një shtyllë kryesore në sistemin e ngurtë të mesfushës së Atletico Madrid, Partey, i ka siguruar trajneri Diego Simeone se nuk dorëzohet asnjëherë dhe për këtë arsye vlerësohet shumë nga tekniku argjentinas, shkruan “The Sun”.

Partey tashmë po impresionon me paraqitjet e tij në fushë, ku edhe po shënon gola për ekipin spanjoll, ndonëse ky edicion që nga muaji mars është i pezulluar shkaku i koronavirusit. Paraqitjet e 26-vjeçarit tashmë kanë alarmuar skuadrat e mëdha të Evropës, të cilat e kanë bërë Parteyn si objektivin kryesor të kësaj vere.

Është babai i tij, ai që tashmë ka konfirmuar se djali i tij është në negociata me shumë klube, pasi përfundimisht në fund të këtij edicioni do të largohet nga Atletico Madridi, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024, shkruan KOHA. Në fakt, ishte babai ai që ndihmoi të birin të ndjekë ëndrrën për t’u bërë futbollist. Babai i Parteyt shiti të gjitha pronat e tij familjare, në mënyrë që Thomas të merrte vizën për të udhëtuar në Spanjë për prova.

“Të gjitha ia kam borxh babait. Ai shiti gjithçka, pasi besonte se unë një ditë do të bëhesha futbollist”, ka pranuar Partey. “Gjithashtu, hapat e parë në futboll i kam marrë prej tij”.

Fillimi i përulur

I lindur në qytetin e varfër Krobo Odumase në 1993, Partey ishte më i vjetri prej tetë fëmijëve të tjerë në familje. Nëna e tij punonte si një tregtare e vogël, ndërsa babai i tij ishte një trajner futbolli për një ekip lokal.

Edhe Partey rrezikoi çdo gjë për të ndjekur ëndrrën e futbollit evropian Sport Partey rrezikoi çdo gjë për të ndjekur ëndrrën e futbollit evropian

Kështu që, ishte më se e natyrshme që Partey qysh nga fëmijëria do të luante vetëm futboll. Ai hapat e parë i nisi tek ekipi i babait, për të cilin edhe luante përkrah vëllait të tij, Francesit. Ata të dy e panë futbollin si një shteg për një jetë larg nga lagjet e tyre. Thomasit iu dha nofka “Senegali” nga babai i tij, sepse e kujtonte atë në një mik të tij që e kishte të njëjtin emër.

Në familjen Partey e shihnin Thomasin si futbollist, por kushtet ishin të vështira. Ndërsa Thomasi vazhdoi të zhvillonte talentin e tij, ai filloi me ëndrrat për të udhëtuar në Evropë. Duke ditur se djali i tyre ishte i bekuar me talent, prindërit e tij u përpoqën të mbledhin para për udhëtimin e tij në futboll, duke kërkuar sponsorë në rast se të vinte një mundësi jashtë vendit. Sidoqoftë, familja dështoi në ngritjen e fondeve dhe u detyruan të mendojnë për mjete të tjera.

“Ishin kohë të vështira, pasi ishim shumë të varfër, por unë besoja në ëndrrën time dhe doja ta testoja veten diku në Evropë. Nuk ishte aspak lehtë të shohësh prindërit duke bërë të pamundurën për të mbledhur paratë”, ka kujtuar Partey.