Është një storie e luftës dhe qëndrueshmërisë për t’u bërë futbollist profesionist në një nga top-ligat e futbollit evropian. I është dashur të punojë tri herë më fortë se lojtarët tjerë pasi “ishte afrikan”.
Kur erdhi rasti i Thomas Parteyt, 18-vjeçar atëbotë, për t’u larguar nga Gana për në Spanjë, ai e dinte se nuk mund t’i thoshte askujt, madje as prindërve të tij, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDerisa mesfushori i Atletico Madridit po përgatitet për ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, ai ka rrëfyer për “CNN Sport” rrugën e tij për në Evropë.
“Unë po luaja në një klub të kategorisë së dytë të Ganës”, ka treguar Thomas. “Nuk isha i regjistruar, thjeshtë po luaja dhe po merrja bonuse. Kështu që kur më erdhi rasti të udhëtoja në Spanjë, nuk tregova, madje nuk i tregova as prindërve të mi, pasi ata do të pyesnin se ku po shkoja dhe do të flisnin. Unë fola vetëm me agjentin tim, që bëri çdo gjë për mua. Më pas udhëtova në Spanjë”.
Thomas ishte i gatshëm të rrezikonte çdo gjë pasi ëndrra e tij kishte qenë të shkonte hapave të babait dhe të luante futboll profesionist.
“Kur isha i ri, babai im luante. Ai gjithmonë më merrte në stërvitje. Kështu që gjithmonë ëndërr e kisha të luaja futbollist profesionist. Por, më pas erdhi në një periudhë ku duhej të studioja, nuk ishte e lehtë, babai im ishte i papunë, kështu që duhej edhe të punoja dhe pas gjithë kësaj të gjeja një vend për të luajtur me shoqëri”, ka treguar Thomas Partey, tash 26-vjeçar.
Gjërat u bënë më serioze kur ai u largua nga familja e tij për në qytetin Ashaiman, për të luajtur për Revelation FC, atëbotë Tema Youth, në rangun e dytë të futbollit në Ganë.
“Ishte e vështirë. Isha vetëm dhjetëvjeçar dhe po lëvizja në një qytet të rrezikshëm në Ganë. Për nënën time ishte sikur humbi një djalë. Por, menaxherët folën me prindërit e mi dhe unë doja të isha atje. Unë doja të vazhdoja me futboll”, ka treguar mesfushori.
Por, ambicia e tij gjithmonë kishte qenë futbolli evropian. Në verën e vitit 2011 agjenti spanjoll Jose Jimenez organizoi prova te Atletico Madridi. Asgjë nuk ishte e sigurt, ishte rrezik i madh dhe pa një ofertë zyrtare.
“Unë thjeshtë u nisa për në prova. Shkova direkt te Atletico Madridi. Ishte vështirë që nga fillimi. Duhej të zgjohesha herët, më pas ishte i ftohti, problemi i gjuhës. Po ashtu duhej të mësohesha me stilin e futbollit dhe çdo gjë atje. Por, i thash vetes se ky është vendi që dua të jem dhe se duhet të punoj çdo ditë për të arritur në skuadrën e parë. Pas dy muajve Atletico më ofroi rastin që të qëndrojë”, ka treguar ganezi.
Thomas e di se qindra afrikanë tjerë kanë përvojë me më pak fat në Evropë çdo vit. Ai ende përfaqësohet nga Jimenez, që e ka drejtuar nga fillimi i karrierës.
“Shumica e agjentëve janë aty për të marrë paratë dhe të lënë. Nuk shqetësohen më pas për ty. Por, unë jam i lumtur që kisha agjentin më të mirë, një agjent që kujdesej për mua. Unë i besova atij dhe u mundova të jem i durueshëm”.
Trajneri argjentinas i Atletico Madridit, Diego Simeone ka qenë një ndikim tjetër i madh, thotë Thomas.
“Simeone më ka ndihmuar shumë. Ai e dinte se kam talent, por pa pasur mentalitetin e duhur nuk do të arrija këtu”.
Në vitin 2012, Thomas po luante për Atletico B në Kategorinë e Tretë të Spanjës. Ai më pas kaloi si huazim te Real Mallorca në Kategorinë e Dytë dhe më pas te Almeira në La Liga, para se të kthehej te Atletico në vitin 2015. Ai arriti të depërtonte në skuadrën e parë të klubit madrilen. Partey insiston se është më e vështirë për lojtarët e rinj afrikanë që t’ia dalin në klubet evropiane.
“Me rëndësi është të kesh talent. Por, aty është edhe një evropian në pozitën tënde. Duhet të punosh dukshëm më tepër se ata, dy herë apo tri herë më fortë. Kjo është mënyra e vetme që lojtarët afrikanë t’ia dalin në Evropë”, ka thënë Partey.
Thomas Partey insiston se racizmi mbetet një problem i madh në futbollin spanjoll, por edhe atë evropian.
“Ndodh. Por, unë mundohem të mos dëgjojë dhe të shijoj lojën time”, ka thënë 26-vjeçari.