Portieri Ilir Avdyli është përforcimi më i ri i skuadrës së Kukësit. Ekipi i Kategorisë Superiore të Shqipërisë, të hënën e ka zyrtarizuar Avdylin për edicionin 2019/20.
"Ilir Avdyli nënshkruan kontratë për një sezon futbollistik me klubin tonë", thuhet në njoftimin e ekipit të Kukësit që edicionin e fundit fitoi Kupën e Shqipërisë në futboll, transmeton Koha Ditore.
Portieri kosovar edicionin e fundit ka qenë pjesë e skuadrës tjetër nga Shqipëria, Kamza, që u largua nga garat.
Ai gjatë karrierës ka qenë pjesë edhe e ekipeve tjera të njohura shqiptare si Tirana e Shkëndija e Tetovës. Ndërsa në Kosovë Avdyli ka bërë karrierë te Llapi, Ferizaj dhe Hajvalia.