Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang është tërhequr nga Përfaqësuesja e Gabonit, ka njoftuar të enjten federata e futbollit të këtij vendi. Aubameyang ka njoftuar federatën e Gabonit për vendimin e tij nëpërmjet një letre.
Ai është golashënuesi më i mirë në histori të Gabonit, me 30 gola të realizuar në 72 paraqitje.
“Pas 13 vjetësh krenarie në përfaqësimin e vendit tim, ju njoftoj se i jap fund karrierës sime ndërkombëtare”, ka shkruar 32-vjeçari. “Dëshiroj të falënderoj popullin gabonez dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në kohët e mira dhe të këqija. Do të mbaj shumë kujtime të mira si ditën kur bëra debutimin tim ose ditën kur e fitova ‘Topin e Artë’ të Afrikës. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj të gjithë trajnerët, stafin dhe lojtarët që kam hasur gjatë kësaj karriere”.
Aubameyangu në fillim të këtij viti iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë pasi shkëputi kontratën me Arsenalin dhe tek ekipi spanjoll ka treguar paraqitje të mira, duke shënuar 11 gola në 16 ndeshje në La Liga.