Atletico Madridi ka reaguar ndaj Barcelonës lidhur me transferimin e Antoine Griezmannit, duke thënë se është lodhur me mënyrën se si kampioni po tenton blerjen e tij.
Griezmann, lojtari më i vlefshëm i Atleticos, është lidhur me një transferim në Nou Camp pasi Barcelona është shprehur e gatshme të paguajë klauzolën e tij prej 100 milionë eurove.
Presidenti i Barçës, Josep Maria Bartomeu të hënën ka thënë se veç ka biseduar me agjentin e francezit për një transferim të mundshëm.
Për transferimin e Griezmannit ka folur edhe sulmuesi Luis Suarez, i cili e ka mirëpritur në ekip, por këto komente janë kritikuar nga Atletico.
“Jemi të lodhur me sjelljen e Barcelonës”, ka thënë shefi i Atleticos, Miguel Gil Marin në një komunikatë për media.
“[Të flasësh] për të ardhmen e një lojtari që ka kontratë, pak ditë para finales evropiane është absolutisht mungesë respekti ndaj Atleticos dhe fansave të tyre”, ka shtuar ai.
“Dua t’ia bëj të qartë [Bartomeut] se sjellja e tij ishte kundër integritetit të garës, veçanërisht kur ne garonim për titull dhe Barcelona vazhdimisht i ka bërë presion njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit tonë”, thuhet në reagimin e Atleticos.