Federata e Atletikës së SHBA-së (USATF) ka bërë thirrje të shtunën për shtyrje të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Federata që në përbërje ka atletët thuajse më të mirë në botë, ka bërë thirrje për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për shtyrje të ngjarjes që duhet të zhvillohet nga 24 korriku deri më 9 gusht.
Kështu Federata e Atletikës i është bashkuar Federatës së Notit të SHBA-së në thirrjet për shtyrje të Olimpiadës për shkak të koronavirusit.
Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga Komiteti Olimpik i SHBA-së apo nga IOC-ja. Kërkesa i është bërë IOC-së përmes Komitetit Olimpik të SHBA-së. Ky organ të premten u ka bërë thirrje sportistëve që të vazhdojnë përgatitjet.
IOC-ja ka thënë se Lojërat do të mbahen sipas planifikimit. Por thirrjet po shtohen për shtyrje të ngjarjes më të madhe sportive për shkak të përhapjes së mëtejme të koronavirusit.
Edhe
KON-i këmbëngul se Lojërat Olimpike do të mbahen vitin tjetër
Të shtunën thirrje për shtyrje të Lojërave Olimpike ka bërë edhe Komiteti Olimpik i Brazilit. Brazili ka propozuar që Olimpiada të organizohet në vitin 2021. Në Brazil është organizuar Olimpiada e kaluar, Rio 2016.
“Si një ish-xhudist dhe trajner në sport, kam kuptuar se ëndrra e secilit sportist është të shkoj në Olimpiadë në formën më të mirë. Duke mbajtur Lojërat këtë vit, kjo ëndërr nuk mund të realizohet plotësisht”, ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik të Brazilit, Paolo Wanderley.