Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani shkëlqen në skenën e madhe të Evropianit

Një tjetër paraqitje mbresëlënëse ka pasur Kosovare Asllani në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Angli. Dhe normalisht, bashkë me shkëlqimin e Asllanit po vazhdojnë edhe sukseset e Suedisë.

Suedisë i duhej vetëm një pikë për ta siguruar vendin në fazën nokaut të Evropianit. Por Suedia fitoi thellë të dielën në “Leigh Sports Village” ndaj Portugalisë.

Një gol e një asistim ishin kontributi i Asllanit 32-vjeçare në fitoren 5:0. Kjo fitore jo vetëm që mundësoi vendin e parë në Grupin C, por mundësoi edhe shmangien e një kundërshtareje shumë të fortë në çerekfinale. Për kundërshtare në çerekfinale Suedia do ta ketë përfaqësuesen e vendit të dytë të Grupit D, Islandën, Belgjikën apo Italinë. Suedia e ka shmangur Francën dhe gëzimi është i qartë te suedezet.

Çerekfinalja do të luhet të premten, më 22 korrik, në të njëjtin stadium.

Asllani asistoi në fundin e pjesës së parë për golin e dytë, ndërsa ishte e përkryer edhe në ekzekutimin e penalltisë në minutën e 54-t.

Kosovare Asllani u shpall futbolliste e ndeshjes.

“Lëvizjet e saj dhe vendimet në pasime ishin të shkëlqyera. Ajo tregoi aftësi të mëdha në situatat një kundër një, krijoi shanse dhe ishte shumë efektive në shfrytëzimin e zbrazëtirave në mes të linjave”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

Kjo në fakt dëshmohet nga statistikat me të cilat merret “Opta”. Kosovarja pati 62 prekje të topit, krijoi pesë shanse për shënim për bashkëlojtaret e veta, ndërsa rikuperoi 11 topa, pa përmendur këtu golin dhe asistimin.

Duket sikur kampionatet evropiane janë të krijuara vetëm për të. Një tjetër statistikë e “Opta-s” thotë se Kosovare Asllani ka regjistruar gjashtë asistime në 12 paraqitje gjatë tri edicioneve të fundit të Kampionatit Evropian, dy herë më shumë sesa çdo futbolliste tjetër.

Vetëm në tri ndeshjet e para të Evropianit që po zhvillohet në Angli, ajo ka tri asistime.

Suedia barazoi rekordin të cilin e kishte vendosur më herët sa i përket fitores më të thellë. Njësoj kishte fituar edhe kundër Finlandës në vitin 2013.

Suedia, njëra prej skuadrave pretenduese për ta fituar gjithë turneun, shkoi në fazën nokaut në të gjitha shtatë edicionet që kur ky format u jetësua në vitin 1997.

“Ka qenë një arritje shumë e mirë. Përjetuam shumë kënaqësi sot”, ka thënë Asllani për “TV4”.

“Mendoj se jemi më të drejtpërdrejta në lojën tonë sesa që kemi qenë më herët. Jemi më të rrezikshme brenda në zonë. Kam pasur më shumë topa dhe kam dhuruar pasime, por në përgjithësi ishim agresive në rikthimin e topit. Duhet të kemi besim. Edhe skuadrat e tjera janë të forta, por ne dëshirojmë që të luajmë sa më shumë ndeshje që është e mundur në këtë turne”, ka shtuar Asllani.

Në ndeshjen tjetër të Grupit C, kampionia në fuqi, Holanda, ka fituar thellë përballë Zvicrës, 4:1. Te Zvicra, nga minuta e 72-të luajti Riola Xhemaili, mesfushorja shqiptare.

Holandezet do të luajnë kundër Francës në çerekfinale, kurse Zvicra e Portugalia eliminohen nga faza e grupeve me vetëm nga një pikë të fituar.

Holanda mblodhi shtatë pikë, aq sa edhe Suedia, por ka dy gola më shumë të pranuar.

Artikuj të ngjashëm