Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani beson se Suedia mund të triumfojë në “Euro 2022”

Lëvizja e Kosovare Asllanit nga krahu i djathtë ishte e jashtëzakonshme. E tillë është vlerësuar edhe nga mediat e huaja. Ajo kaloi një lojtare që kishte përballë, madje me stil, duke e futur topin mes këmbëve të saj. Vrapoi drejt zonës dhe bukur e gjeti bashkëlojtaren Jonna Andersson, që shënoi për 1:0 në minutën e 35-të.

Ishte asistimi i parë i Asllanit në Evropianin e këtij viti që po mbahet në Angli. Për Asllanin e Përfaqësuesen e Suedisë ishte edhe pika e parë e fituar në nisje të Evropianit.

Të shtunën mbrëma Suedia barazoi me rezultatin 1:1 ndaj Holandës, superfuqisë së futbollit të femrave aktualisht.

Holanda është kampione në fuqi e Evropës, por paraqitja e Asllanit dhe e lojtareve të tjera të Suedisë ka bërë që të ketë shpresë të madhe për triumf.

Ka skuadra të forta në Evropian. Përveç Holandës, favorite vlerësohet Spanja që në radhët e veta ka lojtare cilësore, por nuk e ka fituesen e “Topit të Artë”, Alexia Putellas.

Edhe Asllani shkëlqen në skenën e madhe të Evropianit Sport Asllani shkëlqen në skenën e madhe të Evropianit

Kosovare Asllani, 32-vjeçare, që u zyrtarizua ditë më parë te skuadra e Milanit në Itali, ka shpresë të madhe për befasi të këndshme.

Statistikat e saj, përfshirë edhe ato të kualifikimeve, tregojnë se sulmuesja që sezonin e shkuar ishte pjesë e Real Madridit, do të vazhdojë të jetë prej më të mirave në ekip. Në tetë ndeshjet e kampanjës “Euro 2022”, ajo kishte shtatë asistime e dy gola të shënuar.

“Ne duam gjithmonë që të fitojmë, e sidomos në një kampionat evropian. Por ne kemi pasur përballë një skuadër shumë të fortë. Holanda ka shumë kualitet brenda ekipit. E kemi pasur momentin tonë në pjesën e parë, ndërsa holandezet patën një përparësi në pjesën e dytë. Ka qenë një ndeshje shumë e fortë”, ka thënë Asllani pas ndeshjes.

Grupi C vlerësohet shumë i fortë. Të katër skuadrat kanë nga një pikë. Edhe dueli tjetër ndërmjet Portugalisë e Zvicrës u mbyll baras 2:2.

Edhe Zvicra në radhët e veta e ka një shqiptare, Riola Xhemailin.

Asllani e Xhemaili do të ballafaqohen në duelin e dytë të grupit. Takimi zhvillohet të mërkurën nga ora 18:00.

Edhe Asllani e zhgënjyer për eliminimin, nuk flet për të ardhmen Futboll Asllani e zhgënjyer për eliminimin, nuk flet për të ardhmen

Ndeshja e zhvilluar në një prej stadiumeve më të vjetra në Angli, në “Bramall Lane” të Sheffieldit, grumbulloi 21 mijë e 342 shikues holandezë e suedezë.

Është rekord për një ndeshje ku nuk përfshihet nikoqiri i Evropianit te futbollistet.