Sulmuesi Fisnik Asllani ka rinovuar kontratën me skuadrën e Hoffenheimit. Zyrtarizimi i rinovimit të kontratës është bërë i ditur nga klubi gjerman të premten në sajtin zyrtar.
Asllani e ka rinovuar kontratën për dy vjet dhe do të jetë pjesë e Hoffenheimit deri në verën e vitit 2026. Asllani është pjesë e Hoffenheimit prej vitit 2020, ndërsa vitin e shkuar është promovuar në ekipin e parë.
20-vjeçari në nëntor të vitit të shkuar ka debutuar në Bundesligë dhe deri më tani ka dy paraqitje për Hoffenheimin.
Këtë edicion, ai ka shënuar gjashtë gola në shtatë ndeshje dhe ka bërë dy asistime me ekipin e dytë të Hoffenheimit që luan në ligën regjionale. Po ashtu, Asllani ditë më parë ka debutuar edhe te PËrfaqësuesja U20 e Gjermanisë dhe ka shënuar gol në ndeshjen kundër Polonisë.
"Fisniku kombinon talentin, kërcënimin për golin dhe praninë fizike - së bashku këta komponentë rezultojnë në një profil sulmuesi shumë interesant të një numri klasik 9”, ka thënë drejtori i futbollit profesionist te Hoffenheimi, Alexander Rosen.
“Fisniku është një shembull tjetër i shkëlqyer i mënyrës sonë të identifikimit të talenteve të rinj dhe zhvillimit të tyre me kujdes. Përveç kësaj, atij iu desh të përballej me disa pengesa në formën e lëndimeve në karrierën e tij të re dhe nuk e la veten për asnjë minutë. Paraqitjet e tij aktuale në ekipin U23 nënvizojnë se sa fort ka luftuar, dhe javë pas jave ai gjithashtu tregon në stërvitjen profesionale se mund të bëhet një alternativë e vërtetë në të ardhmen”.