Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani kërkon rast të ri te Hoffenheimi

Fisnik Asllani u promovua në fillim të këtij viti në ekipin e parë të Hoffenheimit, klubit nga Bundesliga gjermane.

Ai madje arriti të debutonte në elitën e futbollit gjerman, ndonëse pati pak minuta të kaluar në fushën e gjelbër. Luajti kundër Leipzigut në nëntor të vitit të kaluar, që ishte debutim dhe nisje e mbarë për 20-vjeçarin që vlerësohet në Gjermani.

Gjashtë minuta të tjerë luajti kundër Mainzit në muajin shkurt. Këto dy paraqitje Asllani i pati nën drejtimin e trajnerit Sebastian Hoeness, i cili e kishte përcjellë edhe sa luante në grupmoshat e reja te skuadrat e tjera.

Ishte pikërisht trajneri Hoeness që e kishte grumbulluar Asllanin edhe në pesë ndeshje tjera të Bundesligës, por futbollisti nga Kosova nuk u inkuadrua më.

Shtatlarti 20-vjeçar pati telashe me lëndime të gjurit. Këto edhe ndalën zhvillimin e mëtejmë të tij, shkruan gazeta e madhe gjermane “Kicker”.

“Hoffenhemi kishte kontaktuar me ish-sulmuesin e Bundesligës, Jhon Cordoba, i cili tani luan për klubin e kategorisë së parë ruse. Edhe pse huazimi nuk u arrit, Hoffenheimi nuk kërkoi tjetër sulmues. Afati kalimtar është mbyllur, por mund të hapë perspektiva të reja për talentin Asllani. Sidomos pasi sulmuesi në kohët e fundit po bën shumë promovim në Hoffenheimi U-23”, shkruan gazeta e madhe gjermane.

Hoffenheimi kishte bërë ndryshime duke sjellë trajner të ri në krye të skuadrës, ndërsa Asllani pas lënies prapa të lëndimit kishte nisur me paraqitje me ekipin U23.

Dhe që nga fillimi i edicionit Asllani është duke kërkuar vëmendjen e trajnerit të ri, Andre Breitenreiter. Një gjë të tillë po e bën nëpërmjet ekipit të dytë. Shkëlqimin e ka gjetur në xhirot e fundit.

Në mungesë të futbollistit Ihlas Bebou, që është i lënduar në gju po ashtu, Hoffenheimi mund t’ia japë rastin sërish Asllanit.

Qendërsulmuesi që ka paraqitje me të rinjtë e Kosovës dhe Gjermanisë, ka shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit. Ai është duke e pritur momentin, pasi konkurrenca në ekipin e parë është shumë e madhe.

Trajneri Breitenreiter ka në skuadër futbollistë si Andrej Kramariq, Georginio Rutter, Munas Dabbur e Jacob Bruun Larsen. Të gjithë janë të gatshëm për lojë.

Se do të luftojë gjithmonë për një vend në skuadrën e parë, Asllani e kishte konfirmuar edhe më herët për KOHËN.

“Me Hoffenheimin kam kontratë dhe plani është të qëndroj te kjo skuadër dhe të luaj sa më shumë në Bundesligë. Dua ta fus këmbën dhe të mbetem gjatë. Dua të bëhem lojtar i Bundesligës, jo vetëm të bëj një lojë dhe të pres. Por të bëj sa më shumë ndeshje dhe të fitoj përvojë”, kishte thënë më herët Asllani.

Kontrata e Asllanit me Hoffenheimin skadon më 30 qershor të vitit 2024.

Asllani me grupmoshën U17 të Kosovës e ka një gol të shënuar në pesë paraqitje. Ka edhe dy paraqitje me grupmoshën U18 me Gjermaninë dhe një gol të shënuar. U lind në Gjermani, ndërsa si lojtar u zhvillua te Dynamo Berlini dhe Union Berlini.

Të rinjve të Hoffenheimit iu bashkua në korrik të vitit 2020.

Artikuj të ngjashëm