Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani, inspirim për të rinjtë

Kosovare Asllani, reprezentuese e Suedisë dhe futbolliste e Milanit, është kthyer në inspirim për të rinjtë.

Ajo së fundmi ka marrë pjesë në një projekt të quajtur “të krijuar për të luajtur”.

Ky projekt ishte nismë ndërkombëtare e promovuar nga kompania e veshmbathjeve Nike, dhe u organizua në Milano.

Asllani, që është ambasadore e “Laureus”, organizatës që për synim ka përforcimin e jetëve të fëmijëve dhe të rinjve në sport, ka thënë se këto projekte janë shumë të rëndësishme.

“Kam ardhur ta vizitojë këtë program. Ishte emocionuese të shoh nga afër punën e të rinjve dhe mënyrën se si punojnë ata. Mendoj se është shumë e rëndësishme për t’iu bashkuar, sepse baza e futbollit është shumë e rëndësishme. Kështu kam filluar unë dhe e di se është shumë e rëndësishme për fëmijët kur iu vjen një emër i madh. Për mua është kënaqësi të jem këtu si ambasadore dhe si inspiruese për fëmijët”, ka thënë Asllani që me futboll ka nisur të merret nga mosha gjashtëvjeçare.

“Kam nisur të luajë me vëllezërit e mi. Ishte paksa e çuditshme kur stërvitesha me djem, por në atë kohë nuk kishte ekip për vajza gjashtëvjeçare. Nuk kam shikuar kurrë prapa që nga ajo kohë. E dua këtë sport dhe do të vazhdojë përgjithmonë”, deklaroi Asllani në një video të publikuar nga “gazzetta.it” të premten.

Edhe Asllani nominohet për mesfushoren më të mirë në Suedi Futboll 7 muaj më parë Asllani nominohet për mesfushoren më të mirë në Suedi

Menaxhere e projektit të Laureusit është Lara Tagliabue, e cila ka thënë se qëllimi është përfshirja sa më e madhe në sportin e futbollit.

“Përcille pasionin tënd. Ajo është gjëja më e rëndësishme. Ëndërro shumë sepse asnjë ëndërr nuk është shumë e madhe. Përderisa kënaqesh dhe punon fort për të shënuar sukses, do të keni karrierë pa fund”, ishte mesazhi i Asllanit në fund.