Sport

Asllani do ta vazhdojë karrierën në Hoffenheim

Futbollisti Fisnik Asllani do ta vazhdojë karrierën te skuadra tjetër gjermane, Hoffenheim. Me këtë skuadër, Asllani 17-vjeçar do të nënshkruajë kontratë për katër vjet, ka mësuar “KOHA” nga burimet e afërta me futbollistin.

“Fisniku do të nënshkruajë gjatë këtyre ditëve kontratën profesioniste për ekipin e parë të Hoffenheimit. Është një e arritur e madhe për të”, ka thënë një i afërm i Asllanit në kushte anonimiteti.

Ditë më parë është raportuar se interesim për Asllanin kanë shprehur edhe Bayerni dhe Schalke.

Asllani këtë edicion për ekipin U-19 të Union Berlinit ka shënuar 15 gola në 16 ndeshje, derisa ka kontribuar edhe me 7 asistime.

Qendërsulmuesi shtatlartë ka luajtur edhe për U-17 të Kosovës dhe për U-18 të Gjermanisë. Për Kosovën në pesë ndeshje ka shënuar një gol, kurse një gol në dy ndeshje e ka realizuar për Gjermaninë.