Sport

Ashpërsi në fushë, përleshje në tribuna: Argjentina mposht Brazilin në një ndeshje plot tension

Argjentina ka mposhtur Brazilin 1-0 si mysafir në një ndeshje të tensionuar si në fushë, ashtu edhe në tribuna.

Takimi i xhiros së gjashtë të kualifikueseve të Amerikës së Jugut për Kampionatin Botëror u luajt në “Maracana”, ndërsa nisja e lojës u vonua gjysmë ore pas trazirave që shpërthyen në tribuna.

VIDEO:

Tifozët e Argjentinës dhe policia braziliane u përleshën në tribuna. Madje ndërhyri edhe portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez, i cili arriti ta godasë edhe njërin nga policët.

Më pas, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, i çoi bashkëlojtarët në dhomat e zhveshjes në shenjë proteste. “Albiçelestët” nuk donin të luanin derisa të garantohej siguria e tifozëve të tyre.

VIDEO:

Tensionet u transferuan nga tribuna në fushë. Pjesa e parë u karakterizua me antifutboll dhe faulle të shumta. Gabriel Jesus goditi me bërryl kokën e Rodrigo de Paul qysh në minutat e para të ndeshjes.

Brazili pati rastin më të mirë për të shënuar në minutën e 58-të, kur Jesus punoi shkëlqyeshëm me bashkëlojtarin e tij nga Arsenali, Gabriel Martinelli, i cili gjuajti, por Martinez ndërhyri shkëlqyeshëm dhe shpëtoi portën.

Vetëm pesë minuta më vonë, Argjentina shënoi golin që i dha fitoren.

Giovani Lo Celso krosoi nga e majta, Nicolas Otamendi kërceu mbi Gabriel Maghalaes dhe shënoi në portën e Alisson Beckerit për t’i dhënë fitoren kombëtares së tij.

VIDEO:

Deri në fund, Brazili e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, kur Joelinton u ndëshkua direkt me karton të kuq për një faull të rrezikshëm.

Argjentina është kryesuese e kualifikueseve të Amerikës së Jugut, ndërsa Brazili ka zbritur në vendin e gjashtë me humbjen e tretë radhazi.

Nga dhjetë kombëtare në total në Amerikën e Jugut, gjashtë prej tyre kualifikohen direkt në Botërorin e vitit 2026, ndërsa i shtati luan në plejof.