Sport

Asdren Gashi, kikboksieri me goditje të frikshme

Plot 13 luftëra janë zhvilluar në mbrëmjen e organizuar nga kompania “Senshi”, të shtunën mbrëma, në Varna të Bullgarisë. Dhe kikboksieri shqiptar, Asdren Gashi, mund të jetë fituesi më i madh i mbrëmjes. Ai fitoi me nokaut të frikshëm ndaj turkut Kadir Yildirim.

“Nokauti i mbrëmjes ishte ai i Asdren Gashit. Fuqia dhe saktësia e tij janë thjesht jashtë nga kjo botë”, ka shkruar “Senshi”, kompania që organizon ngjarje të sporteve luftarake.

Gashi i dha një goditje shumë të fortë turkut Yildirim, me dorën e djathtë. E goditi fuqishëm në mjekër dhe turku ra pa ndjenja në ring. Gashi, që jeton në Belgjikë, u ngjit në litarët rrethues të ringut për të festuar. Ai shpreson që fitorja do t’i krijojë mundësi të reja në nivelin profesional të kikboksit.

“Lufta në Bullgari më ka shkuar shumë mirë. Nuk ka si të shkojë më mirë. Edhe në amatorizëm e kam pasur një nokaut shumë të mirë. Por, në profesionalizëm ky është më i miri. Ishte goditje që nuk ka mundur ta përballonte kundërshtari”, ka thënë Asdren Gashi për KOHËN, të hënën.

Image

Ai është nga Deçani, ndërsa jeton në Belgjikë, së bashku me familje, që nga viti 2001. Kishte nisur me sportin e karatesë, por pasi u rrit kaloi në kikboks. Është pjesë e klubit “Valon Team” në Bruksel, që në radhët e tij ka disa luftëtarë shumë cilësorë, duke përfshirë një garues të UFC-së, serisë më të famshme të Arteve Marciale të Përziera.

“Prej vitit 2019 jam në profesionalizëm. Kam dhjetë meçe deri më tani. I kam shtatë fitore, një barazim e dy humbje. Dhjetë duele i kisha edhe në amatorizëm”, ka treguar Gashi.

Kikboksin Asdreni ende nuk e ka profesion. Shpreson ta ketë në të ardhmen. Por nuk e ka as vetëm hobi. Ushtron çdo ditë dhe ka synime të mëdha. Thotë se i duhen edhe dy-tri fitore për të hapur dyer të tjera.

“Seria ‘Glory’ është synimi im i madh. Nëse kaloj aty do të ishte realizim i ëndrrës. Shpresoj që lufta ime e fundit të jetë shikuar nga përgjegjësit dhe të më krijohen mundësi. Edhe ‘Senshi’ është organizatë e mirë. Unë kam boksuar për herë të dytë në mbrëmjet e ‘Senshit’. Por për kikboks ‘Glory’ është nivel tjetër”, ka treguar Gashi.

Image

Në klubin “Valon Team” që udhëhiqet nga trajneri Valon Basha, janë katër luftëtarë shqiptarë. Pjesë e këtij klubi është edhe vëllai binjak i Asdrenit, Luigj Gashi.

“Është klubi më i mirë i kikboksit në Belgjikë, por edhe në vendet e Beneluksit e besoj edhe në shumë vende të Evropës. Ka shumë garues dhe në secilën mbrëmje në Belgjikë paraqiten luftëtarët e ‘Valon Team’”, ka treguar Asdren Gashi. Ai vazhdon punën e rregullt, ndërsa ndjek ëndrrën për karrierë të madhe në kikboks. Ndonëse boksoi të shtunën mbrëma, të hënën ka pasur ditë të rregullt pune.

Prej luftëtarëve shqiptarë ai veçon të ndjerin Besim Kabashi. Vlerëson të gjithë kikboksierët e lufëtarët shqiptarë që bëjnë karrierë në nivele të larta.

Në fakt numri i shqiptarëve, sidomos në vende evropiane, që merren me kikboks e disiplina të tjera luftarake, është goxha i madh. Shumë prej tyre bëjnë karrierë të suksesshme.

Asdren Gashi ende nuk është prej emrave të mëdhenj. Por nëse vazhdon me goditje si ajo e së shtunës në Varna të Bullgarisë, Asdreni shpejt do të ketë numër të madh tifozësh dhe karrierë të lavdishme.

https://fb.watch/qsBcRu1TBA/