Mesfushori i Barcelonës, Arthur e ka pranuar se është i nderuar që Interi po interesohet për të, mirëpo ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Barça.
Është raportuar për një shkëmbim të mundshëm të Arthurit 23-vjeçar me Lautaro Martinezin. Mirëpo, Arthur thotë se nuk do të largohet nga La Liga në një të ardhme të afërt.
“Interi? Është nder për mua që po interesohet Interi, por koha ime te Barcelona nuk ka mbaruar. Është nder për çdo lojtar kur lidhet me një klub të madh si Interi, që ka një trajner të madh dhe një skuadër impresive. Por, mendja ime është plotësisht te Barcelona dhe jam i lumtur si në klub ashtu edhe në qytet. Sinqerisht, e shoh veten edhe për shumë vite te Barcelona. Ndjehem se jam integruar dhe po ashtu kam përparuar fizikisht. Unë jam duke shfrytëzuar këtë kohë që të rikuperohem plotësisht dhe mezi po pres t’i kthehem garave”, ka thënë Arthur për “La Gazzetta dello Sport”.
Mesfushori iu bashkua Barcelonës nga Gremio në verën e vitit 2018 për 31 milionë euro. Reprezentuesi i Brazilit ka kontratë me klubin kampion të Spanjës deri në verën e vitit 2024.