Arbitri nga Zambia që e përfundoi para kohës ndeshjen e Kupës së Afrikës ndërmjet Tunizisë dhe Malit muajin e kaluar, pretendon se mund të kishte vdekur nga nxehtësia e madhe nëse ndeshja do të vazhdonte më gjatë. Janny Sikazwe ndezi polemika kur e përfundoi ndeshjen e fazës së grupeve 13 sekonda para kohës, më 12 janar, pasi u detyrua gjithashtu ta rifillonte atë për shkak se fryu bilbilin e tij plot pesë minuta para se të përfundonte e 90-ta. Tunizia, e cila ishte në disavantazh 1:0 dhe luante kundër Malit, që ishte me dhjetë lojtarë, Sikazwe e përfundoi ndeshjen herët për herë të dytë, mbeti e indinjuar në stadiumin Limbe të Kamerunit, me anëtarët e stafit të saj që hynë në fushë për t'u përballur me arbitrin. Megjithatë, Sikazwe beson se vendimi i tij i gabuar për ta mbyllur ndeshjen para kohës së rregullt ishte në fakt një bekim nga Zoti.
“Kam parë njerëz që shkojnë për detyra jashtë vendit dhe kthehen në një arkivol”, u tha ai gazetarëve pasi mbërriti përsëri në vendlindjen e tij. “Isha shumë afër të kthehesha ashtu”.
Madje, Sikazwe shtoi se po ta kishte vazhduar edhe pak ndeshjen, ai do të binte në komë për shkak se ishte me temperaturë të lartë.
“Isha me fat që nuk rashë në komë. Do të kishte qenë një histori shumë ndryshe. Mjekët më thanë se trupi im nuk po ftohet. Do të kishte kaluar vetëm pak kohë para se do të kisha rënë në komë dhe ky do të ishte fundi për mua”, shtoi ai. “Mendoj se Zoti më tha që ta mbyll ndeshjen. Ai më shpëtoi”.
Kur u përball me lojtarët dhe stafin e Tunizisë, Sikazwe qëndroi pas vendimit të tij dhe duhej të shoqërohej nga sigurimi për ta lëshuar fushën. Organizatorët e Kupës së Afrikës më pas urdhëruan që ndeshja të rifillonte, megjithatë Tunizia nuk u kthye në fushë dhe Mali u shpall fitues.
Në të vërtetë, Tunizia pas ndeshjes e paraqiti një ankesë në Federatën e Futbollit të Afrikës, e cila u refuzua më pas. Sikazwe këmbëngul se klima tropikale, e cila ka parë disa ndeshje të këtij turneu të zhvillohen në temperatura mbi 30 gradë Celsius, më së miri e shpjegon performancën e tij të pazakontë atë ditë.
“Moti ishte shumë i nxehtë dhe lagështia ishte rreth 85 për qind. Pas ngrohjes ndjeva se kushtet nuk ishin të mira që të luhej ndeshja. Ne po përpiqeshim të pinim ujë, por ju nuk mund ta ndienit ujin duke ju shuar. Por ne, zyrtarët e ndeshjes besojmë se jemi ushtarë dhe shkojmë të luftojmë. Gjithçka që po vishja ishte e nxehtë. Edhe pajisjet e komunikimit doja t'i hidhja. Ishte shumë vapë”, shprehet ai. “Unë nuk isha në gjendje as të komunikoja me pjesën tjetër të zyrtarëve të ndeshjes. Isha shumë konfuz. Ishte një situatë shumë e pazakontë”.
Një ditë pas ndeshjes, Sikazwe shkoi në spital për analiza të zemrës, gjakut dhe ato fizike - por të gjitha rezultatet e tij u kthyen normale. Ai gjithashtu u vizitua në hotelin e tij nga presidenti i CAF-it, Patrice Motsepe dhe Andrew Kamanga, president i Federatës së Futbollit të Zambisë. Sikazwe u rikthye në detyrë në Kupën e Afrikës më 18 janar, duke mbikëqyrur sistemin VAR për ndeshjen e grupit midis Gabonit dhe Marokut. Ai më parë kishte drejtuar finalen e Kupës së Afrikës në vitin 2017, dy ndeshje të fazës së grupeve në Botërorin e vitit 2018 dhe është zotuar të vazhdojë të arbitrojë.