Arsenali ka pësuar humbjen e tretë rresht në Premier League për të zbehur edhe më shumë shanset për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Southamptoni ishte ekipi i radhës që i mposhti “Topçinjtë”.
Ekipi i Armando Brojës fitoi 1:0. Broja u paraqit për 73 minuta, derisa ndeshjen tek Arsenali e kompletoi Granit Xhaka.
Tri pikë në këtë takim skuadrës vendase ia siguroi Jan Bednarek. Ai realizoi në minutën e 44-të për 1:0.
“Topçinjtë” tentuan të riktheheshin në lojë, duke krijuar raste shënimi me Nicolas Pepen, Bukayo Sakan dhe Emile Smith Rowe, por pa sukses.
Pas kësaj disfate, Arsenali mban pozitën e gjashtë me 54 pikë me një ndeshje më pak të luajtur. Po aq pikë ka edhe Manchester Unitedi si i pesti, ndërsa Tottenhami në pozitën e katërt ka 57. Të dyja kanë nga një ndeshje më shumë se Arsenali.
Southamptoni pozicionohet në vendin e 11-të me 39 pikë.