Sulmuesi i Austrisë, Marko Arnautoviq, është rritur. Në periudhën e tij të dytë në Itali, Arnautoviq po tregon shenja se është transformuar nga 20-vjeçari që e frustroi aq shumë Jose Mourinhon në një lider brenda dhe jashtë fushës. Ai shënoi të dy golat në fitoren 2:0 të Bolognas ndaj Sampdorias këtë javë për ta çuar numrin e tij në 11 gola të realizuara këtë sezon, raportoi AP.
Dy golat ndaj Sampdorias ishin gjithashtu golat e parë të Bolognas që nga muaji shkurt. Por në paraqitjet e 32-vjeçarit Arnautoviq kishte shumë më tepër sesa golat, pasi sulmuesi austriak tregoi gjithashtu shpirt luftarak dhe lidership. Ai do të kishte realizuar një “hat-trick” po të mos ishte traversa që ia mohoi golin e tretë personal ndaj Sampdorias.
Arnautoviq dha një nga pasimet e tij të shumta edhe për Nicola Sansonen, i cili gjithashtu goditi traversën. Arnautoviq do të duhet të jetë përsëri në krye të detyrës së tij kur Bologna e mesit të tabelës do ta vizitojë Juventusin që zë vendin e katërt. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën.
“Ai është një lojtar që është në klasën e tij”, tha drejtori sportiv i Salernitanas, Walter Sabatini, i cili e transferoi Arnautoviqin verën e kaluar kur ai ishte në të njëjtin rol te Bologna. “Ai nuk luan futboll, por e dizajnon, e zbukuron këtë sport. Ti e shikon atë dhe nuk mund të mos biesh në dashuri me lojën e tij. Kur është në këtë formë, ai bëhet një obsesion për ekipin tjetër dhe një kënaqësi për shokët e tij. Golat që ai shënoi kundër Sampdorias ishin gjëja më e keqe në paraqitjen e tij”.
Ishte ai talent që e bindi Interin dhe Mourinhon të nënshkruanin me Arnautoviqin si huazim nga FC Twente në vitin 2009. Por ai bëri vetëm tri paraqitje përpara se të largohej verën e ardhshme, ndonëse fitoi medaljet e Serisë A, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve. Si i ri, Arnautoviq ishte i hutuar nga skena sociale e Milanos dhe shpesh vonohej në stërvitje - përveçse një herë mbërriti pesë orë më herët pasi kishte përzier orarin pas një nate jashtë.
Edhe
Ylli i Austrisë u dënua nga UEFA për sharjen e shqiptarëve
“Marko është një djalë fantastik, por ai ka një qëndrim fëmijëror”, tha atëbotë trajneri i Interit, Mourinho. “Mario Balotelli është shoku i tij më i mirë dhe ata kanë të njëjtat tipare. Nuk është e lehtë”.
Arnautoviq vazhdoi të luajë për Werder Bremenin, Stoke Cityn dhe West Hamin përpara se të transferohej në klubin nga Kina, Shangait Port në vitin 2019. Ai u rikthye në Evropë nga Sabatini dhe trajneri i Bolognas, Sinisha Mihajloviq, dhe menjëherë filloi të shpërblejë besimin e tyre në të.
“Trajneri na jep kaq shumë energji dhe motivim; ai është si baba apo vëlla më i madh për mua”, tha Arnautoviq. “Unë do të bëja gjithçka për të dhe shpresojmë që ta gëzojmë me fitore të tjera deri në fund të sezonit”.
Trajnerit Mihajloviq i është dashur t'i shikojë dy ndeshjet e fundit të Bolognas nga spitali, ku po i nënshtrohet trajtimit pas rikthimit të leukemisë. Ai e mundi këtë sëmundje në vitin 2019.
“Ne po kalojmë një situatë shumë të vështirë pa trajnerin tonë”, tha drejtori sportiv i Bolognas, Riccardo Bigon. “Duhet të falënderoj të gjithë djemtë, të cilët angazhohen gjithmonë me seriozitet dhe zemër. Sigurisht, ne kontaktet me trajnerin i kemi çdo ditë, pavarësisht distancës”.
Edhe
Jepen sqarime pse u pranua goli i Arnautoviqit
Paraqitjet e Arnautoviq mund t'i japin atij një lëvizje në një klub më të madh, me Interin që thuhet se është i interesuar për ish-lojtarin e tij. Bologna është e prirur të mbajë austriakun, i cili është nën kontratë deri në qershor të vitit 2023.
“Arnautoviq është një nga ata lojtarë që do të hyjnë në historinë e Bolognas. Pas disa viteve të ardhshme mund të thoni se çfarë ka lënë Arnautoviq në Bologna, sepse ai do të jetë i rëndësishëm për ne edhe në sezonet e ardhshme”, tha Bigon. “Ai ka luajtur shumë mirë për disa ndeshje. Tani, ai po bën atë që di të bëjë më së miri, të shënojë gola. Ai do të jetë një gur themeli i kësaj skuadre të Bolongnas”.