Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku ka zbuluar një detaj të veçantë për të gjithë tifozët, se si u ka ardhur ideja prindërve të Sadikut për t’i vendosur emrin Armando.
Në një intervistë të dhënë për mediat sportive në Poloni, i pyetur se nëse është e vërtetë që babai i tij ju ka vënë emrin Armando për nder të Diego Armando Maradonës, ai është shprehur: “Po. Është shumë e vërtetë. Babai im e shihte atë te Napoli dhe e ka admiruar gjithmonë si lojtar. E pa edhe në Kupën e Botës në vitin 1990 dhe, kur linda unë, më vuri emrin Armando, sepse i pëlqente shumë Maradona”.
Aktualisht Sadiku luan te Legia e Varshavës në Poloni, ku ka firmosur një kontratë. Që në ndeshjen e parë, sulmuesi ka arritur të gjejë rrjetën, duke u bërë idhulli më i ri i tifozerisë së ekipit ku ai bën pjesë.