Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Anulohet gara e Francës në Formula 1, stinori planifikohet të nisë në korrik në Austri

Gara e Shpërblimit të Madh të Francës në Formula 1, e paraparë të mbahej më 28 qershor, është anuluar shkaku i pandemisë COVID-19.

Lajmin e kanë bërë të ditur organizatorët e garës, njofton agjencia Reuters. Stinori në Formula 1 ende nuk ka filluar dhe gara në Francë është e dhjeta e këtij stinori që është prekur nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi.

Ndërkohë është njoftuar po ashtu se gara e Shpërblimit të Madh të Britanisë në Silverstone do të organizohet pa shikues.

Formula 1 po planifikon të fillojë stinorin pa shikues në Austri në korrik, e ta përfundojë në dhjetor në Abu Dhabi me garat në Azi dhe Amerikë, ka thënë kryetari i F1, Chase Carey. 

Gara e parë do të jetë më 5 korrik. 

“Jemi shumë optimistë që stinorin do ta fillojmë këtë verë dhe gara e parë do të jetë në Austri më 3-5 korrik. Shtator, tetor, nëntor, do të ketë gara në Azi dhe Amerikë, e do ta përfundojmë stinorin në Gjirin Persik me garat në Bahrejn dhe Abu Dhabi. Do të kompletojmë 15 deri 18 gara. Do të publikojmë së shpejti kalendarin e plotë. Presim që garat e hershme të jenë pa shikues, por shpresojmë tifozët të jenë prezent në garat e mëvonshme. Ne ende duhet të punojmë në shumë çështje. Shëndeti dhe siguria e të gjithë të përfshirëve është prioritet”, ka thënë Carey.

 

Artikuj të ngjashëm