Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Antonios Doukas rikthehet në krye të Shqipërisë

Një ditë pas largimit të papritur të Afrim Bilallit nga posti i selektorit të Përfaqësueses së Shqipërisë në basketboll, Federata shqiptare ka gjetur zëvendësimin. Të mërkurën në një konferencë për shtyp kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka zyrtarizuar trajnerin Antonios Doukas.

Në krye me trajnerin Doukas, Shqipëria do të futet në fazën e tretë parakualifikuese të “Eurobasketit 2025” që zhvillohet këtë muaj dhe muajin tjetër. Doukas rikthehet në krye të Shqipërisë pas pesë vjetësh, pasi ishte selektor edhe në periudhën 2017-18. Pas largimit të tij, ekipi iu besua Bilallit, i cili të martën dha dorëheqje për shkak se nuk iu kishin plotësuar kushtet e premtuara. Me emërimin e grekut Doukas, Shqipëria të hënën do ta nisë fazën përgatitore për ndeshjet parakualifikuese që e presin në kuadër të Grupit I.

“Federata Shqiptare e Basketbollit organizoi nën kujdesin e z. Avni Ponari - president, konferencën për shtyp për prezantimin e z. Antonios Doukas si trajner i ekipit kombëtar meshkuj, si dhe prezantimin e aktiviteteve evropiane ku do të jenë pjesëmarrës 6 ekipe kombëtare te Shqipërisë gjatë muajit korrik dhe gusht 2023”, shkroi në njoftimin e FSHB-së të mërkurën.

Për kreun e FSHB-së, Doukas ishte zgjidhja më e mirë dhe e duhur, duke pasur parasysh se greku njeh lojtarët për faktin se për një edicion ishte edhe në krye të skuadrës së Tiranës.

“Marrëdhënia e tij me lojtarët, njohja që kishte me to, por edhe dëshira e tij sepse Doukas për një vit ka qenë edhe trajner i Tiranës. Pra, ka një njohje më të madhe se trajnerët e tjerë edhe pse kishim disa alternativa. Menduam se është më afër mentalitetit shqiptar”, tha Ponari.

Edhe Doukas është shprehur i lumtur që po rikthehet te Shqipëria pas pesë vjetësh. Ai premtoi se do të përpiqet ta bëjë ekipin gati, në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mira në këto parakualifikime.

“Unë nuk zgjodha Shqipërinë, por federata më zgjodhi mua dhe jam shumë krenar për këtë. Do përpiqem të bëj përzgjedhjen më të mirë të lojtarëve për të ndërtuar një kombëtare sa më kompetitive dhe për të marrë rezultatet më të mira të mundshme”, shtoi Doukas.

Shqipëria ndeshjen e parë në kuadër të parakualifikimeve e luan në Durrës kundër Përfaqësueses së Rumanisë. Pastaj luan me Sllovakinë (26 korrik) dhe Rumaninë (29 korrik) në udhëtim, ndërsa këtë cikël e mbyll në Shqipëri kundër Sllovakisë, më 5 gusht.

Te Shqipëria kanë paraparë që në kuadër të përgatitjeve për parakualifikime ta zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me Kosovën, e cila mund të zhvillohet javën e ardhshme në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Artikuj të ngjashëm