Pak para ndeshjeve të fazës së tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”, përfaqësuesja e Shqipërisë në basketboll ka mbetur pa selektor.
Afrim Bilalli ka dhënë dorëheqje nga posti i selektorit, të cilin e ka mbajtur prej vitit 2019. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bilalli të martën ka njoftuar se ishte i detyruar të largohej për shkak se nuk iu kishin plotësuar kushtet nga ana e Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB).
Shqipëria do të paraqitet në kuadër të Grupit I parakualifikues, ku do të përballet me Rumaninë dhe Sllovakinë, ndeshje këto që do të zhvillohen këtë muaj dhe muajin tjetër. Fituesi i grupit do të vazhdojë në fazën tjetër, ndërsa Shqipëria nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit.
“Për arsye të mosplotësimit të kushteve për të cilat jemi pajtuar më parë, jam i detyruar të jap dorëheqjen nga ekipi kombëtar. Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punoj më çdokënd prej jush që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi me mua”, ka shkruar Bilalli.
Largimi i Bilallit ka ardhur pak ditë para se Shqipëria t’i fillonte përgatitjet për ndeshjet parakualifikuese. Shqipëria kishte paralajmëruar të fillonte me fazën përgatitore më 10 korrik, ndërsa largimi i Bilallit ka bërë që federata të fillojë kërkimet për trajnerin e ri, i cili duhet menjëherë ta nisë punën.
Edhe
Shabani largohet nga posti i përzgjedhësit të Kosovës
Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, sekretari i përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani, nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me largimin e papritur të Bilallit.
“Dorëheqja e Bilallit është një vendim i marrë prej tij. Çdo vendim i ri do të bëhet me dije zyrtarisht shumë shpejt nga FSHB-ja”, ka thënë Llazani.
Bilalli kishte marrë drejtimin e Shqipërisë pas largimit të trajnerit nga Greqia, Antonios Doukas. Shqipëria ndeshjen e parë në kuadër të parakualifikimeve e luan në Durrës kundër Përfaqësueses së Rumanisë. Pastaj luan me Sllovakinë (26 korrik) dhe Rumaninë (29 korrik) në udhëtim, ndërsa këtë cikël e mbyll në Shqipëri kundër Sllovakisë, më 5 gusht.
Në kuadër të fazës së parë të parakualifikimeve, Shqipëria ka shënuar një fitore karshi tri humbjeve. Ka mposhtur Luksemburgun (92:89) në nëntor të vitit 2021.
Edhe
Bujar Loci mbetet në krye të përfaqësueses së basketbollit
Te Shqipëria kanë paraparë që në kuadër të përgatitjeve për parakualifikime ta zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me Kosovën, e cila mund të zhvillohet javën e ardhshme në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Edhe Kosova luan në fazën e tretë parakualifikuese. Basketbolli në Kosovë është i nivelit dukshëm më të lartë, por përfaqësueset janë në nivel të përafërt.