Me paraqitjen impresive në humbjen nga Franca në çerekfinale, Anglia largohet nga Katari me arsye të forta për të besuar në të ardhmen e lavdishme
Ishte pa dyshim ndeshja më e mirë e këtij Botërori. Një erë e freskët frynte jashtë stadiumit buzë shkretëtirës, por paraqitja në fushë ishte e “nxehtë” si nga Anglia ashtu edhe nga Franca. Bëhet fjalë për dy rivale të mëdha dhe të nivelit më të lartë.
Me gjithë intensitetin e një çerekfinaleje të paharruar, pas largimit të Anglisë nga stadiumi mendimet ishin për të shkuarën dhe të ardhmen e kësaj përfaqësueseje.
Ka pasur shenja për një të ardhme të ndritur kur 21-vjeçari Bukayo Saka kaloi me shpejtësi mes lojtarëve të Francës, duke përhapur panik dhe duke sjellë shpresën që ndërkohë do të shuhej. Ose për mënyrën se si 19-vjeçari Jude Bellingham, më i riu që ka nisur ndeshjen çerekfinale për Anglinë, ushtroi presion dhe shfaqi aftësi lideri.
Ishte një mbrëmje ku lojtarët e Gareth Southgate dhanë një nga paraqitjet më të mira të Anglisë, duke kontrolluar lojën në pjesën e dytë.
Anglia e përfundoi ndeshjen duke kompletuar më shumë pasime (453-310), duke provuar më shpesh të shënojë (14-9) dhe duke dërguar më shumë goditje të sakta (6-5) se kampionia në fuqi, Franca.
“Kemi luajtur ndeshjen më të mirë ndaj një rivaleje të fortë prej se unë jam në postin e selektorit”, ka pranuar Southgate.
Anglia që nga viti 1990 nuk ka fituar ndeshje të fazës nokaut në Botëror pasi ishte në disavantazh. Kjo dukej se do të ndryshonte të shtunën mbrëma, kur Harry Kane konkretizoi penalltinë për të barazuar rezultatin në 1:1, herët në pjesën e dytë. Në mes të minutës së 46-të dhe 70-të Anglia ka pasur shtatë raste për gol, ndërsa Franca vetëm dy.
“Ky ekip i ri i Anglisë ka dhënë çdo gjë dhe do të bëhet edhe më i mirë. Koha e tij do të vijë”, ka shkruar Gary Lineker. “Ishte, megjithatë, një mbrëmje ku fantazmat e së kaluarës u shfaqën në skenë”.
Anglia ka qenë në këtë situatë më parë. Është kthyer në shtëpi pas një përballje shumë të fortë me një rival të nivelit të lartë. Mund të kujtohet gjysmëfinalja me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1990 apo 1/8 e finales kundër Argjentinës në Francë në vitin 1998. Të dy këto ndeshje Anglia i humbi me penallti. Ka pasur raste të ngjashme edhe në Kampionate Evropiane.
Këtë “mallkim” Aglia e Southgatet e kaloi në Rusi, katër vjet më parë. Apo të paktën anglezët menduan kështu. Penalltitë vendosën humbjen e tyre në finale nga Italia në Euro 2020. Dhe ndeshja e së shtunës mbrëma ndaj Francës ktheu mendjen te turnetë e kaluara, sidomos kur Kane gjuajti topin lartë mbi portë nga pika e bardhë thuajse në fund të ndeshjes.
Kane ka realizuar 19 prej 22 penalltive të mëparshme për Anglinë. Dy goditje nga pika e bardhë i janë ndalur, ndërsa një përfundoi në shtyllë. Për herë të parë gjuajti jashtë.
Prandaj logjikshëm Jordan Hendersonit pyetja e parë që iu bë ishte: A ka një mallkim penalltish për ju?
“Ne kishim shanse. Kemi pasur momente në ndeshje që të shënojmë edhe një apo dy gola, por ishim pa fat. Jemi të zhgënjyer me golat që i pranuam. Por nuk mund ta kritikoj askënd. Ne kemi dhënë çdo gjë që kemi pasur, por kjo ndonjëherë në futboll nuk është e mjaftueshme për arsye të caktuara. Për fat të keq këtë herë nuk funksionoi”.
Në futboll, si në jetë, mund të jetë e vështirë të shkëputesh nga e kaluara. Ironia është që arritja më e madhe e selektorit Southgate është heqja e aq shumë gjërave nga bagazhi i së kaluarës. Edhe në këtë botëror Anglia injoroi zhurmën e krijuar nga ecuria pa fitore në gjashtë ndeshjet paraprake. Anglezët luajtën futboll pozitiv të orientuar nga sulmi, me sistemin 4-3-3. 13 golat e Anglisë ishin numri më i lartë i golave nga çdo ekip anglez në Kupën e Botës.
Në fund, detaje të vogla ishin kundër Anglisë. Për shembull, goditja me kokë e Harry Maguire, që shkoi pranë shtyllës kur rezultati ishte 1:1. Më pas Olivier Giroud iu shmang mbrojtësit shtatlartë te rasti i golit të fitores.
Mes dhembjes së madhe, Southgate pa anët pozitive.
“Kemi dashur të shkojmë hap pas hapi. Ndjemë se kjo është mënyra se si duam t’i qasemi turneut dhe e kemi bërë këtë. Ka gjëra të mira që kemi bërë dhe ka shumë gjëra për t’u emocionuar kur sheh moshën e lojtarëve”.
Pra, Anglia ka një gjeneratë prej së cilës pret shumë. Bellingham shënoi golin e parë në Botëror dhe ishte i jashtëzakonshëm në fitoren 3:0 ndaj Senegalit më pas. Të rinj të tjerë kanë shfaqur nivel të lakmueshëm si Declan Rice (23), Phil Foden (22), së bashku me Sakan. Mason Mount është një tjetër 23-vjeçar. Marcus Rashford është ende vetëm 25-vjeçar.
E ardhmja duket e ndritur. Pyetja tani është nëse Southgate, që ka kontratë deri pas “Euro 2024”, do t’i drejtojë lojtarët e rinj në atë ngjarje.
Nën drejtimin e tij Anglia ka fituar gjashtë ndeshje të fazës nokaut në turnetë e mëdhenj. Është numri i njëjtë me fitoret që Anglia arriti nga viti 1970 deri në vitin 2016, kur Southgate mori drejtimin. Edhe nëse merret për bazë formati i zgjeruar i turneve, shifra është e lartë.
“Ne kemi një ekip të mirë me lojtarë teknikë”, ka thënë Gary Neville, njëri prej lojtarëve më të mirë që ka pasur Anglia. Ai tani kryen detyrën e analistit.
“Anglia është në një vend shumë të mirë, të jemi të qartë për këtë. Ne jemi larguar nga turnetë duke u turpëruar për 25 vjet. Tani kemi një të ardhme të ndritur”.
Southgate tha pas ndeshjes se i duhej kohë për të marrë vendimin.
“Vendimi i duhur, cilido qoftë ai – për ekipin, Anglinë dhe Federatën – është se duhet të jem i sigurt se çka do të vendos. Mendoj se është e drejtë që më duhet pak kohë për këtë”, tha Southgate.
Si zakonisht ai ishte i matur dhe shumë i arsyeshëm.
“The Sunday Times” kishte një titull që përmbledh kontributin e Southgatet për Anglinë, pavarësisht se cila është e ardhmja e tij.
“Njeriu që na e ktheu respektin”.