Milani ka konfirmuar se mbrojtësi i krahut të djathtë, Andrea Conti, ka pasur ndërhyrje kirurgjike në përmirësimin e meniskut në gjurin e majtë. 26-vjeçari është paraqitur 26 herë këtë sezon, në Serie A dhe në Kupën e Italisë.
“Milani njofton se Andrea Conti, për shkak të dhimbjeve në gjurin e majtë të cilat i ka pasur gjatë ndeshjes Sassuolo-Milan, të premten e ka operuar meniskun. Ky operim është kryer nga mjeku Paolo Mariani, bashkë me mjekun e klubit, Mario Brozzi”, thuhet në njoftimin e Milanit, transmeton KOHA.
Conti menjëherë pasi u transferua nga Atalanta në vitin 2017, pati dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit të majtë. Ai ishte jashtë në gjithë sezonin, derisa u operua në prill të vitit 2018, dhe nuk u kthye në fushë deri në dhjetor të atij viti.