Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë se “ndoshta” do të pensionohet kur të largohet nga kampioni i La Ligës, por është i përgatitur të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” për disa vite.
62-vjeçari italian u bë të shtunën trajneri i parë në histori të futbollit që fitoi titull kampioni në pesë ligat më të mira të Evropës, ndërsa të mërkurën do të përballet me Manchester Cityn për një vend në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Pas Realit, po, ndoshta do të ndalem”, tha Ancelotti për “Prime Video” në një intervistë të transmetuar pjesërisht të martën. “Por nëse Reali më mban këtu për 10 vjet, unë do të jem trajner këtu për 10 vjet”.
Italiani është nën kontratë me gjigantin spanjoll deri në vitin 2024, pasi iu bashkua klubit për një mandat të dytë vitin e kaluar nga Evertoni. Ancelotti tha se dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen e tij dhe të udhëtojë, por nuk përjashtoi mundësinë e drejtimit të një përfaqësueseje në Kupën e Botës të vitit 2026, që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Do të doja të kaloja kohë me nipërit e mbesat, të shkoja në pushime me gruan time”, shtoi ai. “Ka shumë gjëra që i kam lënë pas dore dhe që do të doja t’i bëja. Po, mund të ketë një përfaqësuese, por kjo është herët për momentin”.
Ancelotti ishte ndihmës tek Italia në Botërorin e vitit 1994, në të cilin italianët u mposhtën në finale nga Brazili pas penalltive. Ai po synon ta fitojë trofeun e katërt të Championsit këtë sezon, pas dy triumfeve me Milanin në vitet 2003 dhe 2007 dhe suksesit gjatë qëndrimit të tij të parë në Madrid në vitin 2014. Reali do të përpiqet të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit ndaj Cityt pas humbjes në ndeshjen e parë me rezultatin 4:3. Dueli mes Realit e Cityt zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Santiago Bernabeu”.