Trajneri Carlo Ancelotti ka thënë se për të ardhmen e tij do të flas vetëm në ditën e fundit të edicionit në La Liga, ndërsa mediumet në Spanjë kanë raportuar se ai do ta udhëheqë Brazilin.
Ancelotti që e ka udhëhequr Real Madridit në tri triumfe të Ligës së Kampionëve dhe dy Kupa të Botës për Klube, e synon titullin e tretë në La Liga.
Real Madridi është i dyti në tabelë me 72 pikë, por ende me gjasa për ta fituar titullin pasi deri në fund të garës kanë mbetur edhe pesë xhiro.
“Dua ta bëj të qartë se e vërteta është që e dua shumë klubin, lojtarët dhe tifozët e Real Madridit. Do të flas për të ardhmen time më 25 maj. E di çfarë duhet të bëj, çfarë do të bëj dhe çfarë jam duke bërë. Nuk do të flas për të ardhmen time. E di se po ju dëshpëroj, por nuk më intereson”, ka deklaruar të shtunën tekniku italian para ndeshjes ndaj Celta Vigos.
Real Madrid – Celta Vigo luhet të dielën nga ora 14:00.