Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit dhe një nga trajnerët më të trofeshëm në histori, është akuzuar se ka dëmtuar Spanjën me mbi 1 milion euro taksa të papaguara gjatë viteve fiskale 2014 dhe 2015 për të drejtën e imazhit. Ai akuzohet se ka shkelur ligjin gjatë herës së parë kur drejtoi gjigantin spanjoll.
Për këtë, Prokuroria e Shtetit spanjoll kërkon dënimin me 4 vjet e 9 muaj burgim për të. Ai akuzohet për dy vepra penale në dëm të buxhetit të shtetit spanjoll, shkruan Marca.
“Pavarësisht se gjatë asaj periudhe ai regjistroi vendbanimin e tij në Spanjë me një adresë në Madrid, dhe kështu duhej të përmbushte të gjitha detyrimet në vend, në deklaratat e tij tatimore ka deklaruar vetëm rrogën që ka marrë si trajner i Realit, ndërsa të ardhurat në bazë të të drejtave nga përdorimi i imazhit ua ka transferuar personave të tjerë. Këtë e ka bërë për të paguar më pak taksat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, Ancelotti nënshkroi kontratë personale më 1 korrik 2013, në të cilën ia transferoi të drejtat e përdorimit të imazhit kompanisë “Vapia Limited” për një periudhë 10-vjeçare dhe me një tarifë prej 25 milionë euro. Një ditë më vonë, ajo kompani e emëroi Ancelottin si përfaqësues të saj, duke “i lejuar atij fuqinë maksimale për të ushtruar të drejtat e imazhit”. Më vonë, në një datë të pacaktuar, një aneks i kontratës shkurtoi kohëzgjatjen në tre vjet, ndërsa çmimi i të drejtës së përdorimit të imazhit u ul në 1 milion euro.