Ndeshja Lazio kundër Napolit, përveç debutimit të trajnerit të Napolit, Carlo Ancelotti, solli edhe përballjen e parë të shqiptarëve në këtë sezon në Serie A.
Edhe pse Napoli i Valon Berishës e i Thmoas Strakoshës e nisi ndeshjen më mirë duke avancuar qysh në minutën e 25-të, fundi nuk ishte në anën e tij, pasi skuadra e Elseid Hysajt u kthye në lojë qysh në fund të pjesës së parë, për të kaluar në epërsi në pjesën e dytë.
Ciro Immobile shënoi në minutën ’25 pas një solo-aksioni, dhe, kur u mendua se përballja do të shkonte në pushim me epërsinë e vendësve, Arkadiusz Milik në minutën 45+2 lëshoi topin në rrjetën kundërshtare pas një asisti nga Jose Callejon.
Pasi skuadrat u kthyen në fushë në pjesën e dytë, pati një iniciativë të mysafirëve, ndërsa kjo u konkretizua në minutën ’59 kur Lorenzo Insigne shënoi pas një asisti nga Allan, duke bërë që Strakosha të mposhtet sërish.
Pjesa e mbetur e lojës ishte e barabartë, me shanse shënimi nga të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Napoli, në javën e parë të sezonit të ri të Serie A, gjendet në pozitën e dytë, pasi Juventusi pas fitores së vështirë ndaj Chievos, me golaverazh pozicionohet në vendin e parë.