Mbrojtësi i talentuar kosovar, Amar Gërxhaliu, ka bërë hap të madh në karrierë.
Ai të martën është zyrtarizuar si pjesë e ekipit të parë të klubit të madh turk, Antalyaspor. Me Antalyasporin, 20-vjeçari ka firmosur për katër vjet.
Ai ka marrë fanellën me numrin katër, ndërsa tashmë është përfshirë në listën e lojtarëve të ekipit të parë te klubi turk.
Familjarë të Amarit kanë thënë për KOHËN që mbrojtësi shtatlartë do të grumbullohet që nga ndeshja e ardhshme në Superligën e Turqisë.
Ndërkohë, debutimi i tij në elitën turke pritet të vjen së shpejti. Amar Gërxhaliu është nga Vushtrria, ndërsa si fëmijë ka qenë pjesë e shkollës së futbollit Kurda.
Gjatë pandemisë, ka luajtur për Vushtrrinë. Ai para pesë vjetësh ishte vendosur në Turqi ku e ka një pjesë të familjes.
Në Turqi e ka përfunduar edhe shkollën e mesme. Sa i takon futbollit, një kohë ishte te Bashakshehiri, ndërsa prej tetorit të vitit të kaluar është tek Antalyaspor.
Në edicionin e kaluar ka luajtur për ekipin U19, ndërsa ditë më parë regjistroi një paraqitje me ekipin rezervë të klubit turk.
Sipas familjarëve, ai deri të martën nuk e ka pasur të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare me ekipin e parë të Antalyasporit.
Gërxhaliu në të kaluarën është grumbulluar me grupmoshat e reja të Shqipërisë. Llogaritet ende pjesë e saj, por shpreson edhe në ftesë nga Kosova.
Antalyaspori ka startuar me një fitore e një humbje në elitën turke këtë edicion. Edicionin e kaluar e përfundoi në vendin e shtatë. Lojtarë të njohur janë pjesë e kësaj skuadre, ndër të tjera, edhe Admir Mehmedi.
Me Gërxhaliun vazhdon të rritet numri i futbollistëve shqiptarë në elitën turke. Nëse ai fillon të luajë me ekipin e parë të Antalyasporit, pritet të jetë kandidat serioz për vend në përfaqësuese, të paktën tek ajo U21.