Kur Maria Sharapova njoftoi pensionimin e saj nga sporti, ajo i dha fund karrierës së një prej yjeve më të mëdha në historinë sportive, një femër që kapërceu tenisin për t'u bërë një ikonë globale e marketingut sportiv.
Max Eisenbud, njeriu përgjegjës që ndihmoi rusen Sharapova për të fituar pesë tituj dhe të bëhet sportistja më e paguar femër për më shumë se një dekadë, është i bindur se tashmë ka gjetur një teniste tjetër me potencial të ngjashëm: Amanda Anisimova, shkruan CNN.
E gjatë, bionde, me origjinë ruse dhe me një talent të rrallë tenisi, Anisimova i ngjan Sharapovës në më shumë se një aspekt, transmeton KOHA.
"Natyrisht, ka ngjashmëri, është e vështirë të largohesh prej kësaj", tha Eisenbud, kreu i “IMG Tennis”, i cili ka mbikëqyrur karrierat e lojtareve, përfshirë Sharapovan dhe kinezen Li Na, kampionen e parë të Kinës në një Grand Slam. "Unë jam agjent, ato të dyja janë shumë tërheqëse; të dyja kanë rrënjë ruse, të gjitha ato gjëra. Kanë ato ngjashmëri që do të jenë gjithmonë aty. Por ato janë personalitete shumë të ndryshme".
Një yll ka lindur
E lindur në Freehold të New Jerseyt, nga prindërit me origjinë ruse, Anisimova u transferua në Miami me familjen e saj në moshën trevjeçare. Në vitin 2017 ajo fitoi titullin për juniore në “US Open”, duke mposhtur një adoleshente tjetër të talentuar, amerikanen e shumëpërfolur Coco Gauff. Në “Roland-Garros” vitin e kaluar, Anisimova si 17-vjeçare e eliminoi kampionen në fuqi, rumunen Simona Halep, për t’u bërë tenistja e parë e lindur në vitin 2000 që arriti në një gjysmëfinale të një Grand Slami.
Edhe pse ajo pësoi humbje në gjysmëfinale nga kampionia eventuale, Ashleigh Barty e Australisë, Anisimova konfirmoi se një yll tenisi tashmë ka lindur. Paraqitjet e mira të Anisimovas në Paris “me të vërtetë tërhoqën vëmendjen e shumë njerëzve", tha Eisenbud, e cila zgjati marrëveshjen e saj të bashkëpunimit me gjigantin e veshjeve sportive “Nike” në nëntor të vitit të shkuar.
Në janar të këtij viti Anisimova iu bashkua Serena Williamsit si e vetmja teniste tjetër që miratoi prodhuesin e pijeve sportive amerikane “Gatorade”. Ajo gjithashtu së fundi nënshkroi edhe një partneritet shumëvjeçar me “Therabody”, një kompani e teknologjisë me pajisje të terapisë e masazhit me bazë në Los Angeles, që përdoret gjerësisht nga atletët elitarë në të gjithë botën.