Ishte ashpërsia mendore e Maria Sharapovas që e veçoi atë prej shumicës së bashkëmoshatareve të saj. Mund të ketë pasur të tjera që ishin më shumë të talentuara, teniste që kanë bërë lëvizje me elegante në fushë, por asnjëra nuk mund të përputhej me shpirtin garues të Sharapovas. Me një fjalë, Sharapova ishte garuesja e përkryer.
Por në moshën 32-vjeçare, njëra prej sportisteve më të njohura të shekullit u detyrua të tërhiqej nga karriera e shkëlqyeshme. Ajo më nuk ishte më e mira në botë dhe më e rëndësishmja, ajo nuk mund të duronte më dhimbjen që iu bë një shoqëruese e vazhdueshme, veçanërisht në dy vjetët e fundit. Lëndimet me të cilat ishte përballur shumë që prej kohës kur shpërtheu në tenis dhe tërhoqi vëmendjen publike, ishin shkaku kryesor i tërheqjes së Sharapovas, që në moshën 17-vjeçare triumfoi në një Grand Slam si “Wimbledoni”.
Sharapova përfundimisht e kuptoi se më nuk mund të vazhdonte me rutinën e përditshme të tenisit gjatë vitit të shkuar në “U.S. Open”. Ajo pati pranuar se 30 minuta para një meçi ishte e detyruar ta mpinte dhimbjen e saj të fortë në shpatull për të qenë në gjendje që të luajë.
“Vetëm shkelja në fushë atë ditë, u ndje si një fitore përfundimtare për mua. Por në fakt futja në fushë do të duhej të ishte hapi i parë drejt fitores”, ka shkruar Sharapova në njoftimin e saj të publikuar në revistën “Vanity Fair”, ku ishte shpesh e pranishme. “E ndaj këtë me ju, jo që të ndieni keqardhje për mua, por të tregoj një realitet të hidhur. Trupi im u bë pengesë për të vazhduar me tenis”.
Pensionimi i Sharapovas nga tenisi nuk erdhi si befasi. Gjithçka ishte më se e qartë muajin e shkuar në “Australian Open”, kur u eliminua në raundin e parë. Për Sharapovan, kjo ishte humbja e tretë rresht. Por njëra prej luftëtareve më të mëdha në botën e tenisit tha se nuk dëshiroi të tërhiqet në atë mënyrë nga sporti që i dha gjithçka, pasi do të dukej sikur e hodhi peshqirin e bardhë dhe u dorëzua. Kështu që, ajo zgjodhi një mënyrë tjetër për t’i thënë lamtumirë tenisit, me një shkrim të publikuar në revistë për të mos lënë hapësira as për dyshimet më të vogla, shkruan Koha Ditore.
Investimi i prindërve dhe kontrata me “Niken”
Sharapova e la tenisin në pozitën e 373 në ranglistën botërore të WTA-s dhe me një reputacion të prishur. Suspendimi prej 15 muajve për shkak se rezultoi pozitive në testet e dopingut në vitin 2016 për përdorim të meldoniumit – një ilaç për sëmundjet e zemrës që ishte i ligjshëm deri në janar të atij viti – mbizotëroi vitet e fundit të karrierës së saj. Fillimisht, Sharapova ishte e suspenduar për dy vjet, por pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), dënimi iu zbut në 15 muaj.
Mirëpo, prejse u rikthye në vitin 2017, Sharapova asnjëherë nuk arriti të gjente magjinë e vjetër. Edhe pse suksesi i saj i fundit në karrierë erdhi në “Tianjin Open” në muajin tetor të të njëjtit vit, Sharapova asnjëherë nuk arriti të futet në top 20 që nga rikthimi pas suspendimit. Ajo fliste për shtimin e pesë titujve në Grand Slame që i kishte fituar, por lëndimet – në kofshë, krahun e majtë dhe shpatulla – shkatërruan çdo shpresë të Sharapovas për t’i sfiduar tenistet më të mira.
Sharapova edhe më përpara ishte kthyer nga lëndimet, siç ishte ai i krahut në vitin 2008 kur ia kërcënoi seriozisht karrierën. Mirëpo, Sharapova ishte impresive për shkak se triumfoi dy herë në “French Open” në vitin 2012 e 2014, si dhe arriti ta fitojë medaljen e argjendtë në lojërat olimpike “Londra 2012”.
“Po të mos ishin lëndimet, jam më se i bindur që Sharapova do të kishte arritur edhe më shumë suksese. Ajo ka qenë një garuese e përkryer që nuk është dorëzuar shumë dhe për këtë arsye ka dalluar prej të tjerave”, ka thënë kreu i Federatës së Tenisit të Rusisë, Shamil Tarpischev.
Sidoqoftë, Sharapova nuk do të mbahet në mend vetëm për arritjet e saj në fushë, por edhe për historinë e jashtëzakonshme, se si prindërit e saj, Yuri dhe Yelena, të cilët rrezikuan të gjitha paratë që i kishim vetëm që fëmija i tyre të përparonte. Me vetëm 700 dollarë në xhep, babai i Sharapovas u largua nga porti i Sochit me të bijën e tij drejt Floridas, pasi ish-tenistja numër një në botë, Martina Navratilova kishte rekomanduar që ajo duhej patjetër të stërvitej jashtë kufijve të Rusisë.
E ndarë nga nëna e saj për dy vjet shkaku i çështjeve të vizave dhe obligimit për të mësuar një gjuhë të re, Sharapova vazhdoi përparimin në fushë, duke iu bashkuar akademisë së tenisit të Nick Bollettierit në moshën shtatëvjeçare. Në moshën 11-vjeçare, Sharapova kishte firmosur kontratë me kompaninë sportive “Nike” dhe brenda dhjetë vjetësh ajo arriti t’i fitojë tri Grand Slame.
Williams, konkurrentja më e madhe
“Mendja e saj ishte shumë e ashpër dhe kjo e bënte Sharapovan të jashtëzakonshme. Në mendjen e saj kurrë nuk ka pasur vend për dështim. Sharapova është dhe mbetet luftëtarja më e madhe në tenis, pasi nuk u dorëzua kurrë”, shpjegon Bollettieri.
Kështu që, brenda një kohe të shkurtër, Sharapova u shndërrua në një yll global prej një fëmije të lindur në Siberi. Arritjet e saj janë të jashtëzakonshme: 36 trofe, tenistja e parë ruse që arriti në krye të WTA-s dhe femra e tretë më e re që triumfoi në Wimbledon. Ajo e përfundon karrierën e saj me gati 39 milionë dollarë të fituara nga shpërblimet në tenis dhe miliona të tjerë nga bizneset e ndryshme. Për 11 vjet rresht, Sharapova ishte si njëra prej sportisteve më të paguara në botë në revistën “Forbes”.
Mirëpo, personi i vetëm në tenisin e femrave që mund të garonte me famën e saj ishte rivalja më e madhe e Sharapovas, amerikania Serena Williams. Por në fushë ishte një garë e njëanshme për shkak se Williams prej 22 meçeve kundër Sharapovas, regjistroi hiq më pak se 20 fitore. Gjithashtu, Williams është njëra prej tenisteve më të suksesshme, pasi ka të fituar 23 Grand Slame. Ishte pikërisht Williams, të cilën Sharapova e mposhti në finalen e vitit 2004 të Wimbledonit, falë se cilës nisi edhe fama e tenistes ruse. Për shkak të karrierës së bujshme dhe lojës së mirë, Sharapova pati fituar edhe nofkën “Princesha e akullt” në botën e tenisit. Përderisa Williams nuk doli me ndonjë reagim në lidhje me tërheqjen e Sharapovas, për këtë ka një shpjegim. Në biografinë e saj, Sharapova kishte shkruar se “nuk kishte interes të bënte mikesha në fushën e tenisit”. Në letrën e lamtumirës, Sharapova pranoi se do t’i mungojë shumë tenisi, por duhej të pajtohej me këtë fakt dhe të vazhdojë jetën tutje.
“Tenisit i kam dhënë jetën, por edhe tenisi më ka dhënë jetë. Do të më mungojë shumë, sidomos stërvitjet e përditshme”, shkroi ajo.
Si një figurë përçuese në sport, ajo lë pas një trashëgimi të ndërlikuar. Por Sharapova do të mbahet në mend gjithashtu edhe si një personazh i palëkundur, një lojtare që kurrë nuk u dorëzua dhe arriti shumë në një epokë të mbushur me teniste të shkëlqyeshme.
“Padyshim se Sharapova do t’i mungojë shumë tenisit. Ajo ishte imazh i tenisit të Rusisë”, ka shtuar Tarpischev.