Massimiliano Allegri ende nuk ka vendosur për detyrën e tij të ardhshme si trajner, ndërsa po mendon të kthehet në futboll stinorin e ardhshëm.
Për Allegrin është raportuar se po interesohet Paris Saint-Germaini e Manchester Unitedi, mirëpo Allegri është ende i pavendosur.
Allegri është ende pa angazhim që kur u largua nga Juventusi verën e vitit të kaluarë pas pesë titujve të Italisë të fituara në po aq vite. Ai po ashtu arriti dy herë në finale të Ligës së Kampionëve.
Allegri 52-vjeçar, që ka fituar ligën e Italisë edhe me Milanin në vitin 2011, ka konfirmuar qëllimin për t’i dhënë fund pushimit.
“Në shtator më duhet të kthehem. Nëse nuk e bëjë këtë, atëherë do të mësohem me pushim dhe nuk do të punoj kurrë më!” – ka thënë Allegri në shaka në një intervistë për “AFP”, transmeton Koha.net. “Ende kam edhe tre muaj pushim dhe kjo është mirë për mua”.
Allegri 52-vjeçar ka mohuar se është kontaktuar nga drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo për të zëvendësuar trajnerin aktual Thomas Tuchel. Ai ka insistuar se nuk e di se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.
“Nuk do të flas për të ardhmen time, pasi nuk kam se çfarë të flas momentalisht dhe pasi që do të ishte mungesë respekti ndaj trajnerëve tjerë”, ka shtuar Allegri.
Të martën agjenti i Allegrit, Giovanni Branchini, ka thënë se e ardhmja e klientit të tij është jashtë Italisë, pas një karriere të plotë të kaluar si lojtar dhe trajner në vendlindjen e tij.
Allegri ka treguar se po mëson gjuhën angleze, por ka thënë se është për shkaqe personale dhe që të komunikojë më mirë kur të jetë larg Italisë.
Allegri do të largohet nga Juve
Burime brenda AFP-së më herët kanë thënë se Allegri ka refuzuar oferta nga klubet e mëdha të Premier Leagues së Anglisë dhe La Ligas spanjolle që kur u largua nga Juventusi në qershor. Në Angli është raportuar se Manchester Unitedi po interesohet për të.
Allegri është në Francë për të promovuar edicionin francez të librit të tij “Është shumë e thjeshtë”, në të cilën ai tregon filozofinë e tij të futbollit.
Ai, ndryshe nga trajnerët italianë që i kushtojnë rëndësi të madhe taktikës, e vlerëson të rëndësishme të lë lojtarët më të mirë të shprehin veten në fushë.
“Puna e trajnerit është të thjeshtësojë çdo gjë që duket e komplikuar. Për të fituar të duhen lojtarët e mëdhenj. Lojtarët e mëdhenj pasojnë topin, prekin topin dy apo tri herë dhe mjafton me kaq. Ata bëjnë të lehta gjërat që lojtarëve të tjerë u duken të vështira. Një lider i madh është një lojtar që gjen zgjidhje të shpejt të problemit dhe një që bart autoritet”, ka thënë Allegri.
Allegri ka drejtuar disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit, përfshirë fituesit e Kupës së Botës si Gianluigi Buffon, Andrea Pirlo e Paul Pogba. Por, ai ka përmendur Cristiano Ronaldon si shembull për forcën mentale.
“Futbolli ka të bëjë me mentalitetin. Të duhet një mentalitet i fortë dhe të bësh sakrifica. Ronaldo është shembull për këtë. Ka lojtarë të mirë me shumë talent që qëndrojnë në një nivel, pasi nuk kanë forcën mentale”, ka shtuar trajneri italian.
Në mesin e trajnerëve që Allegri e veçon ëshjtë Juergen Kloppi i Liverpoolit. Ai thotë se gjermani e ka dërguar Liverpoolin në një nivel tjetër.
“Për tash, Kloppi, pasi ai u largua nga Borussia Dortmundi për në Liverpool, ka bërë një hap gjigant para. Trajnerët e mëdhenj e kuptojnë se çfarë skuadre kanë para vete, çfarë lojtarë kanë dhe ndihmojnë ata të luajnë sa më mirë që është e mundur”, ka shtuar Allegri.