Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut me fitoren e thellë 5:0 kundër Armenisë në Jerevan e shtroi rrugën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2022 në Katar.
Mbrojtësi i krahut të majtë, Ezgjan Alioski, ka thënë se asgjë në jetë nuk vjen aksidentalisht dhe se të gjitha të arriturat janë rezultat i punës së madhe.
“Nuk ishte e lehtë dhe jemi shumë të lumtur për momentin. Asgjë në jetë nuk është aksidentale. Të arriturat janë rezultat i punës tonë, tregues i kualitetit tonë. Jemi afër një tjetër hapi historik. Jam optimist se do të fitojmë kundër Islandës. Edhe nëse nuk fitojmë, kemi rezultatet më të mira në kualifikime të Kupës së Botës. Dëshirojmë të luajmë kundër Islandës si kundër Armenisë. Nuk ka favorit në futboll. Mendoj se do të fitojmë por duhet të luajmë si ekip. Do të luajmë për fitore dhe histori. Është motivim shumë i madh për ne”, ka thënë Alioski të premten.
Maqedonia do ta zhvillojë ndeshjen historike kundër Islandës të dielën në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, në orën 18:00.