Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Alioski: Na duhet mrekullia për ta kaluar Italinë

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, ka thënë për mediat italiane se iu duhet mrekullia për ta kaluar Italinë, në ndeshjen e plejofit që luhet në Palermo të enjten në orën 20:45.

Alioski ishte afër transferimit në Serie A në muajin janar, por vendosi të qëndrojë në Arabinë Saudite.

Ai ka thënë se është shumë i motivuar për këtë ballafaqim, dhe shpreson që Maqedonia e Veriut të ketë vend në finalen e plejofit.

“Kam menduar për këtë ndeshje tash e disa muaj. Maqedonia ka pasur progres të madh në futboll, në pesë vjetët e fundit. Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian ka qenë një shpërblim i asaj që ka ndodhur në të kaluarën, dhe do të mundohemi të jemi pjesëmarrës edhe në Kupën e Botës”, ka thënë Alioski për mediat italiane, shkruan “ekipa.mk”.

Mbrojtësi i krahut të majtë e ka vlerësuar Italinë si favorite për të kaluar tutje në Kupën e Botës që sivjet organizohet në Katar.

“Natyrisht se Italia është favorite. Luan në shtëpi dhe duhet të fitojë. Ata do të kenë edhe presion, megjithatë. Moskualifikimi në Kupën e Botës do të ishte një dështim i madh. Neve duhet të na ndodh mrekullia dhe në futboll, mrekullitë ndodhin. Maqedonia në Kupën e Botës? Nëse një gjë e tillë ndodh, është tregues se në futboll gjithçka është e mundur, siç është rasti im. Young Boysi më largoi, më pas shkova te Lugano, më pas në Premier League. E rëndësishme është të kesh besim”, theksoi Alioski.