Pas një periudhe të trazuar ku Algjeria emëroi shtatë trajnerë në tre vjet, Djamel Belmadit i janë dashur më pak se një vit për të kthyer rendin dhe një skuadër të dekurajuar dhe ta dërgojë në finale të Kupës së Shteteve të Afrikës. Ish-trajneri i Katarit, Belmadi, ka kthyer "Dhelprat e Shkretëtirës" në skuadrën më impresive të turneut, duke fituar pesë ndeshje dhe barazuar një.
Gjatë kësaj serie drejt finales, Algjeria ka shënuar 12 gola dhe ka pranuar dy. Në finale të premten do të përballet me Senegalin, shkruan sot Koha Ditore.
Belmadi ka arritur të nxjerrë më të mirën nga skuadra e tij e talentuar dhe ta mbajë në formë të lartë, ndonëse ka eksese të herëpashershme, si rasti i jashtëzakonshëm i Ramy Bensebainit, që ia dha shuplakë vetes në çerekfinale ndaj Bregut të Fildishtë.
Bensebaini kapi për dore Wilfried Zahan dhe më pas e goditi veten në fytyrë me dorën e sulmuesit të Bregut të Fildishtë para se të rrëzohej përtokë në mënyrë teatrale, në një tentim të dështuar për të nxjerrë me të kuq Zahan nga loja.
(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)