Yaounde, 10 janar – Sulmuesi i krahut, Riyad Mahrez, i ka bërë thirrje Përfaqësueses së Algjerisë që të përballet me sfidën në Kamerun ndërsa po përgatitet për ta mbrojtur titullin e kampionit në Kupën e Afrikës. Mahrez është i bindur se Algjeria edhe këtë vit mund të triumfojë në turneun që ka nisur të dielën dhe përfundon më 6 shkurt. Përfaqësuesja e Algjerisë mbrojtjen e titullit e nis të martën në ndeshjen kundër Sierra Leones. Kjo ndeshje i takon Grupit E, të cilin e përbëjnë edhe Bregu i Fildishtë dhe Guineja Ekuatoriale.
“Ky edicion do të jetë edhe më i vështirë se turneu i fundit, në të cilin fituam. Këtë vit skuadrat janë në nivel më të mirë dhe më të forta, por synimi ynë është që ta përsërisim suksesin e vitit 2019. Duhet patjetër të fitojmë dhe të dëshmojmë forcën tonë”, ka thënë Mahrez në prag të duelit që luhet në Douala. “Nuk do të jetë aspak lehtë, por mendoj se jemi të gatshëm për të dëshmuar veten edhe në Kamerun”.
30-vjeçari i skuadrës së Manchester Cityt, Mahrez, ishte kapiten i Algjerisë dhe e udhëhoqi vendin e tij drejt suksesit në vitin 2019. Në turneun e luajtur në Egjipt, Përfaqësuesja e Algjerisë e mposhti në finale Senegalin dhe që nga atëherë nuk di për humbje. Në fakt, Algjeria që udhëhiqet nga përzgjedhësi Djamel Belmadi është e pamposhtur në secilën ndeshje zyrtare që e ka luajtur që nga triumfi në Kupën e Afrikës. Nuk ka humbur në 34 ndeshje rresht, një ecuri që nuk përfshin Kupën e fundit Arabe të mbajtur në Katar, në të cilën Mahrez dhe lojtarë të tjerë të moshuar nuk morën pjesë.
Mahrez është një nga yjet më të mëdhenj në Kupën e Afrikës, që po vazhdon pavarësisht disa presioneve nga klubet kryesore evropiane për të shtyrë përsëri turneun. E i tillë ishte ngurrimi i këtyre skuadrave për të liruar lojtarët kryesorë në mes të sezonit dhe në mes të pandemisë COVID-19. Megjithatë, Mahrez tha se ai nuk kishte asnjë problem me skuadrën e Cityt, me liderin e arratisur të Premier Leagues për të marrë lejen që të luajë në Kupën e Afrikës.
“Gjithçka ishte mirë me Cityn. Nuk varet nga klubet kjo çështje sepse ne po luajmë për vendin tonë dhe është një turne i madh si Kampionati Evropian apo Copa America”, tha Mahrez. “Për këtë arsye është nder për mua të luaj në këtë turne dhe ta fitoj sërish”.
Mahrez qëndroi me skuadrën e Pep Guardiolas gjatë periudhës së ngarkuar të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Angli, veçanërisht duke luajtur 90 minuta në fitoret kundër Leicester Cityt dhe Arsenalit. Kjo ishte arsyeja pse përzgjedhësi Belmadi vendosi ta linte atë jashtë një kampi stërvitor në Katar javën e kaluar.
Edhe
Mahrez, kapiten i Algjerisë në Kupën e Afrikës
“Ai luajti shumë ndeshje gjatë asaj periudhe, më shumë se zakonisht, kështu që vendosëm ta linim të rikuperohej pak. Nuk kishte kuptim që ai të ishte i rraskapitur me hyrjen në turne”, tha Belmadi.
Algjeria, e cila gjithashtu luan me Guinenë Ekuatoriale dhe Bregun e Fildishtë në Grupin E, mund të jetë ndër favoritët e Kupës së Afrikës, por Belmadi beson se ekipi i tij mund të lulëzojë nën presion.
“Ne vetëm duhet të vazhdojmë me presionin”, tha 45-vjeçari. “Sigurisht që ka një ndryshim midis situatës në vitin 2019 dhe tani pasi ne hyjmë në turne si kampionë në fuqi. Por është mirë. Ne jemi ambiciozë dhe do të bëjmë gjithçka për të përmbushur objektivin tonë, ta mbrojmë titullin”.