Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Veseli: Në 20 vjet karrierë, kurrë s’jam ndier më i poshtëruar se mbrëmë në Mitrovicë

Basketbollisti i Pejës, Alban Veseli, nëpërmjet një reagimi ka shprehur zhgënjimin e tij për ndeshjen e parë finale të plejofit kundër Trepçës.

Të mërkurën mbrëma, Trepça triumfoi 94:84 në palestrën “Minatori”, ndërsa Veseli ka shkruar të enjten në Facebook se organizimi ishte nën nivel, pasi nuk pati kushte për lojë e as siguri.

Sipas tij, banka rezervë e Pejës gjatë tërë ndeshjes ka qenë e sulmuar “nga huliganë në afërsi 1 metër dhe të gjithë ishim të prekur nga pështymat dhe fyerjet e pandalshme”.

Sipas Veselit, siguria nuk ka ekzistuar pasi policia nuk e ka mbrojtur ekipin pejan, por e ka sulmuar. Pati disa fjalë edhe për gjyqtarët e ndeshjes.

“Për referim nuk jam kompetent të flas, mirëpo një lojë aq agresive nga Trepça me 1 faull për 9 minuta lojë në çerekun e fundit, lë shumë për të dëshiruar! 20 vite karrierë në basketboll kam kaluar çdo lloj sfide, mirëpo kurrë s’jam ndier më i fyer dhe më i poshtëruar se mbrëmë”, ka shkruar Veseli.

Po ashtu, Veseli ka kërkuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të krijojë kushte minimale për një ndeshje sportive.

Edhe Trepça fiton ndeshjen dramatike në Pejë, kualifikohet në finalen e madhe Basketboll 2 muaj më parë Trepça fiton ndeshjen dramatike në Pejë, kualifikohet në finalen e madhe

Ai postimin e ka mbyllur me fjalët: “Shihemi të dielën në kryeqytetin e basketbollit në frymë sportive”.

Ndeshja e dytë finale do të luhet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Skuadra që shënon tri fitore, do të shpallet kampione e Kosovës për këtë edicion.