Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Alban Elezi, kampioni i botës në skijim

Një skitare italiane po bën histori për Shqipërinë në Kampionatin Botëror për juniorë që po mbahet në St. Anton të Austrisë. Ndërkohë, një skitar me prejardhje shqiptare po rreshton sukseset për Francën.

Bëhet fjalë për Alban Elezi Cannaferina, që të dielën fitoi titullin e kampionit të botës për juniorë në sllallom të madh. Albani e ka babanë nga Shkupi, ndërsa është i lindur e i rritur në Francë. Dhe garon për Francën. Pos mbiemrit të babait, Elezi e mban edhe mbiemrin Canneferina.

Alban Elezi është prej skitarëve më perspektiv në botë. Suksesi në Botërorin e juniorëve e dëshmon këtë. Pasi fitoi medaljen e argjendtë në lëshim, ai fitoi të artën në sllallom të madh. Prapa në garën e të dielës e la finlandezin Eduard Hallberg dhe norvegjezin Oscar Andreas Sandvik. Në Botëror ka mbetur të zhvillohet edhe gara në sllallom te skitarët. Elezi ka edhe një garë ekipore.

Elezi është 19-vjeçar.

“Medalja në lëshim më ka relaksuar. Nuk kam pasur ndonjë presion. Është një e arritur e rëndësishme. Kemi punuar gjatë tërë verës së kaluar. Ky Botëror ishte prej synimeve të mia që kur ka nisur stinori”, ka thënë Elezi Cannaferina.

Franca për herë të fundit kampion të botës te juniorët kishte në vitin 2011. Ishte Alexis Pinturault që kishte fituar të artën para 12 vjetësh. Elezi Cannaferina ka thënë se i vjen mirë që shkon hapave të Pinturaultit. Ka theksuar se Pinturaulti së bashku me Marcel Hirscherin dhe Ted Ligetyn janë skitarët e tij të preferuar.

Alban Elezi është djali i ish-mundësit dhe pehlivanit të njohur nga Shkupi, Adnan Elezi. Adnani ishte sportist i dalluar në kohën e tij, ndërsa tani e përkrah karrierën e të birit në skijim.

Edhe E konfirmuar, skitari shqiptar do ta përfaqësojë Francën në LOD Sporte të tjera E konfirmuar, skitari shqiptar do ta përfaqësojë Francën në LOD

“Albani është një prej skitarëve më të mirë në botë në moshën e tij. Është shumë e rëndësishme që Albani garon në të gjitha disiplinat”, ka treguar për KOHËN, Dardan Dehari, skitari shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Ai ishte në ekipin olimpik për ngjarjen kulmore të vitit të kaluar, por u lëndua dhe mbeti pa garuar.

“Albani është anëtar i ekipit të dytë të Francës dhe ka talent të jashtëzakonshëm në skijim. Ishte kampion i Francës për juniorë dhe tani po shkëlqen në Botëror. Albanin shpejt e shoh në majat e skijimit. Karriera e tij sapo ka filluar. Është shumë i ri dhe besoj që atë do ta shohim një ditë si kampion të botës dhe kampion olimpik, pavarësisht se tani prezanton ngjyrat e Francës. Vetë emri dëshmon për identitetin e tij dhe nuk lë vend për të mos e admiruar. Nuk e di nëse një ditë do të përfaqësojë flamurin shqiptar, por mbetet për t’u parë. Kam informacione që edhe kjo mund të ndodhë”, ka theksuar Dehari.

Në Botërorin e juniorëve në skijim alpin po shkëlqen edhe Lara Colturi, italiania që prej vitit të kaluar e përfaqëson Shqipërinë. Colturi në Super-G fitoi medaljen e artë. Ndërkohë në sllallom të madh, të shtunën, fitoi medaljen e bronztë. Te skitaret ka mbetur edhe gara e sllallomit. Lara është 16-vjeçare dhe prej skitareve më perspektive në Evropë. Prej saj priten suksese të mëdha në të ardhmen. Falë suksesit të Colturit, Shqipëria është e katërta në listën e medaljeve të Botërorit. Para ardhjes së Colturit, Shqipëria nuk ka pasur asnjë sukses në skijim.