Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Al–Khelaifi hyri në dhomën e gjyqtarëve pas ndeshjes

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, ka hyrë në dhomën e zhveshjes së gjyqtarëve dhe ka thyer një pajisje, pasi skuadra e tij u eliminua nga Liga e Kampionëve nga Real Madridi të mërkurën mbrëma.

Gjyqtari në raportin e tij ka shkruar se Al-Khelaifi është sjellë në mënyrë agresive dhe ka provuar të hynte në dhomën e gjyqtarëve.

Në momentin që gjyqtari ka kërkuar që ai dhe stafi i tij të largohen, presidentin i klubit francez ka goditur një pajisje të ndihmësit duke e thyer atë.

Bëhet e ditur se goli i parë i Benzemas e ka zëmëruar Al-Khelaifin, i cili mendon se francezi kishte bërë ndërhyrje të palejuar në portierin Gianluigi Donnarumma.

“Marca” shkruan se sjellja e Al-Khelaifit është regjistruar nga një punonjës i Real Madridit i cili mund ta dërgojë filmimin në UEFA.