Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Al-Nassr nuk po e përballon vëmendjen e madhe pas transferimit të Ronaldos

Skuadra e re e Cristiano Ronaldos, Al-Nassr, njihet me nofkën “Al Alami”, që do të thotë “skuadër globale”. Megjithatë klubi i Arabisë Saudite po del se nuk ishte i përgatitur për të përballuar vëmendjen e papritur të botës, që erdhi pas njërit prej transferimeve më të bujshme në historinë e futbollit.

Al-Nassr ende nuk ka faqe interneti në gjuhën angleze, gjë që ishte problem për shumë tifozë kur përpiqeshin të mësonin detajet e kontratës së Ronaldos pasi marrëveshja u bë zyrtare të premten e kaluar. Të postuara në llogarinë e klubit në Twitter ishin dy fotografi të thjeshta, të realizuara në Madrid pas përfundimit të negociatave. U deshën edhe 10 minuta të tjera që versioni në gjuhën angleze të përditësohej me lajmet. Duke iu afruar një jave që nga nënshkrimi me Ronaldon, llogaritë e rrjeteve sociale të Al-Nassr janë bërë më miqësore për përdoruesit dhe për audiencën perëndimore. Por uebsajti i klubit mbetet vetëm në gjuhën arabe. Llogaria në Instagram është rritur nga 1.2 milion ndjekës në 9.8 milionë dhe po vazhdon të rritet.

Al-Nassr për herë të parë i shiti të gjitha biletat për ndeshjen e së enjtes ndaj Al Taee, e cila u shty për shkak të motit të keq. Efekti i Ronaldos bëri që klubi t’i shesë 28 mijë bileta, ndonëse portugezi nuk do të debutonte në këtë takim për shkak të suspendimit prej dy ndeshjeve që e ka marrë në Angli. Ronaldo i ka dhënë ekipit Al-Nassr famë të menjëhershme përtej Azisë dhe i duhet të pajtohet shpejt me statusin e ri. Një kompani e jashtme e marrëdhënieve me publikun është angazhuar për të ndihmuar në trajtimin e fluksit të papritur të kërkesave të medias. Ronaldo gjithashtu ka publicistin, të cilin tashmë e ka thirrur.

Prezantimi i tij në stadiumin “Mrsool Park” me kapacitet prej 25,000 ulësesh, të martën, përfshinte një konferencë shtypi të menaxhuar nga skena, në të cilën nuk u lejuan pyetjet nga mediat e pranishme. Pseudonimi i Al-Nassr erdhi për faktin se u bë skuadra e parë aziatike që luajti në një turne global, kur u paraqit në Kupën e Botës për klube në Brazil në vitin 2000. Megjithatë ky ekip ka qenë pak i njohur për shumë fansa në mbarë botën përpara se lidhjet me Ronaldon të shfaqeshin në muajin nëntor. Me sa duket nuk është as klubi më i famshëm në Riad. Fqinji Al-Hilal është ekipi më i suksesshëm në futbollin saudit, pasi ka fituar 18 tituj dhe katër Liga të Kampionëve të Azisë.

Al-Nassr luan në ish-stadiumin e Al-Hilalit, i cili po ashtu ishte i interesuar për transferimin e Ronaldos. Kjo është vetëm një arsye tjetër që fansat e Al-Nassrit e festojnë ardhjen e portugezit në klubin e tyre. Ata u rreshtuan në shi për të parë sulmuesin 37-vjeçar përpara prezantimit të tij dhe brohoritën me zhurmë emrin e portugezit kur ai doli në fushë me ngjyrat e klubit dhe numrin 7 në shpinë. Presidenti i Al-Nassr, Musalli Almuammar, tha se transferimi i Ronaldos ishte gjë më e madhe se fitimi i trofeve, duke shtuar se portugezi do të ketë ndikim në ndryshimin e imazhit të klubit por edhe futbollit saudit.

“Të kemi futbollistin më të mirë në radhët tona është një tregues se ne kemi një vizion për ta sjellë futbollin saudit në një pozitë më të mirë”, tha ai.

Ronaldo i është bashkuar ekipit për të fituar pasi ka të ngjarë që kjo të jetë lëvizja e fundit në karrierën e jashtëzakonshme. Al-Nassr këtë sezon është në rrugë të mbarë për ta fituar titullin e dhjetë rresht dhe me Ronaldon në përbërje gjasat i ka dukshëm më të mëdha. Sigurimi eventual i trofeut të parë të Ligës së Kampionëve të Azisë sezonin e ardhshëm do të ishte një arritje historike si për klubin, ashtu edhe Ronaldon, i cili në Evropë ka triumfuar pesë herë në Champions me Real Madridin dhe Manchester Unitedin. Al-Nassr, si të gjitha skuadrat në ligën saudite, është në pronësi të Qeverisë, por drejtohet në mënyrë të pavarur.

Edhe Cristiano Ronaldo vazhdon kontratën me Al-Nassr Futboll Cristiano Ronaldo vazhdon kontratën me Al-Nassr

Almuammar, ish-president i Ligës saudite, është këshilltar i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit, i cili u krijua për të përmirësuar “cilësinë e jetës” në vend. Ai njihet edhe për punën si analist dhe kolumnist i lajmeve sportive. Dikur fitoi përvojë në Manchester United ku ishte studiues marketingu. Ai ka studiuar në Universitetin Metropolitan të Harvardit dhe atë të Manchesterit.

Almuammar nuk e mohoi marrëveshjen e Ronaldos që e bëri atë lojtarin më të paguar në historinë e futbollit këtë javë, ndonëse ai refuzoi të konfirmonte raportet se kontrata ishte me vlerë deri në 200 milionë euro në vit. Detajet e plota, si shpërblimet dhe stimulimet, nuk janë bërë të ditura. Gjithashtu nuk dihet se si u financua marrëveshja, megjithëse Almammar foli për marrëveshjet tregtare që do të krijonte ardhja e Ronaldos.

Almammar falënderoi Muhammad Al Khuraijin, një biznesmen i shquar, të cilin e përshkroi si “vëllain e tij” në një postim në Twitter. Al Khuraiji zotëron kompaninë saudite SMC, e cila ka në pronësi stadiumin “Mrsool Park”. Nuk dihet se çfarë përfshirje kishte ai në angazhimin e Ronaldos, por ishte mjaft domethënëse që Almammar ta falënderonte atë “më së shumti” mes atyre që punuan në “marrëveshjen më të rëndësishme në historinë e sportit saudit”.