Sport

“Akuzë” që notarja më e mirë nuk është përzgjedhur për Festivalin evropian

Katër notarë do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF), që mbahet në Maribor të Sllovenisë më vonë këtë muaj.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar të martën ekipin prej 19 sportistëve. EYOF, që vlerësohet garë e rëndësishme për sportistët e rinj, mbahet prej 23 deri më 29 korrik.

Por menjëherë të martën është bërë një akuzë publike lidhur me notarët e përzgjedhur. Astrit Haliti, që është shumë gjatë pjesë e notit, ka thënë se nuk është përzgjedhur notarja më e mirë, Hana Beiqi. Haliti, që është trajner i notit, e që po ashtu ishte sekretar e kryetar i Federatës për shumë vjet, ka akuzuar direkt Komitetin Olimpik për përzgjedhjen e bërë.

“Nuk u befasova që nuk i pashë të përfshirë sportistët që kanë rezultate shumë më të mira sesa sportistët të cilët janë në listë. Mirëpo më erdhi në mendje që sporti në Kosovë përpos shëtitjes nuk ka ndonjë qëllim tjetër. Sportistja që këtë vit ka thyer shumë rekorde shtetërore në gara kualifikuese dhe ka qenë potenciali më i madh për ndonjë finale e ndoshta edhe medalje, është lënë jashtë listës nga KOK-u, përkatësisht nga presidenti, sekretari dhe Bordi i KOK-ut, pavarësisht njohurive që kanë pasur “, ka shkruar Haliti, që veten e llogarit ende kryetar të Federatës së Notit.

Por KOK-u dhe MKRS-ja për drejtues të notit njohin një grup tjetër. Haliti ka kërkuar nga MKRS-ja që të verifikojë se kush ishte më e mira te të rejat.

Në Komitetin Olimpik të Kosovës kanë mohuar se kanë bërë përzgjedhjen e sportistëve. Kanë thënë se lista ka ardhur nga federatat përkatëse.

KOHA ka mësuar se Beiqi fillimisht ishte në listën e pjesëmarrësve, por ndërkohë është ndryshuar lista.

Adora Hoxha, Arion Budima, Butrint Hashani dhe Olta Berisha e përfaqësojnë Kosovën në garat e notit në EYOF.

Në ekipin e Kosovës janë edhe gjashtë xhudistë, katër atletë, katër tenistë dhe një çiklist. EYOF-i është garë e nivelit të lartë për sportistët prej 14 deri në 18 vjet. Sipas njoftimit të KOK-ut, do të marrin pjesë sportistë nga 48 shtete evropiane.

Ndarja e komunitetit të notit po lë pasoja të mëdha për këtë sport. Për shkak të ndarjes në dy grupe, FNK-ja ka humbur shumë pikë në kategorizim. Ndërkohë pasojat pritet të jenë për afat të gjatë.